Baba me dy djemtë në Superligë

Familja Magani nga Shqipëria është “shpërndarë” në Superligën e Kosovës në futboll. Kryefamiljari, Gugashi është kryetrajner i Trepçës ’89, ndërsa dy bijtë e tij, Endri e Arturi luajnë tek Gjilani respektivisht Feronikeli. Ata ndihen si në shtëpi në Kosovë, ku janë pritur ngrohtësisht. Flasin edhe për duelet e sikletshme në mes tyre në fushën e blertë, takimet jashtë saj, kontaktet që kanë dhe gjithçka që e veçon familjen speciale të Superligës. Dy djemtë e kanë një dëshirë të përbashkët – të bashkohen një ditë në një ekip me babanë e tyre.

Loading...

Trajnerët nga Shqipëria e kanë vërshuar Superligën e Kosovës në futboll në dy edicionet e fundit.

Mirëpo njëri prej tyre është më speciali dhe më i veçanti nga të gjithë, shkruan sot gazeta Zëri.

Po flasim për Gugash Maganin, trajnerin e Trepçës ’89, i cili e “ka pushtuar” futbollin kosovar.

Krahas tij, familja Magani ia ka dhuruar këtë vit edhe dy anëtarë familjes së madhe të Superligës. Bëhet fjalë për bijtë e tij, Endrin i cili luan për Gjilanin dhe për Arturin i cili këtë sezon është pjesë e Feronikelit.

Magani Senior ndihet i lumtur dhe njëherësh krenar që djemtë e tij janë pjesë e Superligës së Kosovës dhe uron që ata të jenë të suksesshëm ani pse janë kundërshtarë të tij, në aspektin sportiv.

Image

Gugash Magani: Më mirë të mos jemi në një skuadër

Gugash Magani ka punuar në të kaluarën së bashku me bijtë e tij, por nga ajo eksperiencë nuk ka kaluar shumë mirë për shkak të paragjykimeve.

Është pikërisht kjo arsyeja e cila e shtyn atë të mendojë që do të ishte më mirë të mos punojë me në një ekip me djemtë e tij.

Edhe pse, e pranon se nëse do të ndodhte kjo, gjithçka do të ishte më e lehtë.

“Kam punuar me të dy djemtë e mi, në fillimet e mia si trajner. Djemtë e mi kanë luajtur shumë të vegjël në ekipin e parë senior në ekipin e qytetit tim, njëri 17 e tjetri 18 vjeç. Edhe te Teuta e kam pasur Arturin. Nuk është fare e mirë të punosh me djem, për shkak të mentalitetit shqiptar. Natyrisht, për mua do të ishte mirë të punoj me djemtë e mi, pasi vendimet do t’i merrja më lehtë. Por, më vjen mirë që nuk i kam në skuadër. Në futboll është kurrë mos thuaj kurrë, por nuk do të isha i kënaqur të punojmë bashkë”, tha fillimisht Magani për “Zërin”.

Atij i ka rënë të punojë me ta, por t’i ketë edhe kundërshtarë. Në fushën e blertë për 90 minuta ai thotë se “nuk i njeh” bijtë e tij.

Image

“Me Arturin jam përballur vetëm një herë, kur luante te Liria. Është një gjuetar goli, por për fat nuk luajti shumë. Me Endrin jam përballur kur luante në Shqipëri. Është pjesë e karakterit tim, jemi armiq në aspektin sportiv për 90 minuta lojë. Edhe po të na nevojiteshin ndonjërit pikët për titull, për asnjë moment nuk do të doja që djali im të më toleronte ose e kundërta. Këtë mendim duhet ta ketë çdo trajner besoj”, nënvizoi ish-trajneri i Shkumbinit, i Flamurtarit, i Besës së Kavajës, i Teutës dhe i Tiranës.

Trajneri aktual i Trepçës ’89 zbulon se ka qenë insistimi i tij që Endri të vinte për të luajtur në Kosovë meqë familjarisht po qëndrojnë në vendin tonë.

Magani thotë se ka mbresa të mira nga qëndrimi në Kosovë.

Me djemtë thotë se takohet rrallë pasi është larg nga ta. Më afër e ka Arturin, pasi ai luan në Drenas, kurse Endrin më larg, sepse ai qëndron në Gjilan.

Mirëpo, ata dëgjohen shpesh përmes telefonit dhe Magani Senior tregon se i këshillon bijtë e tij rreth futbollit, siç do të bënte çdo prind tjetër trajner futbolli.

Image

Endri Magani: Është kënaqësi ta kesh babanë dhe vëllain në të njëjtin kampionat

Për Endrien Maganin futbolli kosovar është një risi.

Ai i është bashkuar Gjilanit gjatë verës që shkoi dhe po e kalon sezonin e parë me klubin kosovar.

Mbrojtësi i krahut thotë se ndihet mjaft mirë në Kosovë, si në shtëpi dhe se po e shijon këtë fillim eksperience.

“Eksperienca në futbollin kosovar është mjaft e mirë. Në fakt është viti i parë për mua. Unë di të them që Gjilani është rritur në aspektin cilësor. Çunat dhe drejtuesit bashkë me tifozët më kanë pritur shumë mirë dhe këtu në Gjilan ndihem si në shtëpinë time”, u shpreh ai.

Momentalisht Endri po e shijon faktin që luan në një ligë me babanë dhe me vëllain, ndërsa i tregon ndjenjat kur përballet me të atin.

Image

“Normalisht, si çdo lojtar që do të donte, edhe për mua është kënaqësi t’i kem babanë dhe vëllain në të njëjtin kampionat. Kundër babait kam luajtur disa herë dhe normalisht që ke emocione, ndërsa kundër vëllait s’e kam provuar, por mu dha rasti që në Kosovë të ndeshemi si kundërshtarë”, nënvizoi ai.

Endri zbulon se ka punuar së bashku me babanë e tij në Superligën e Shqipërisë, ndërsa shpreson që një gjë e tillë të ndodhë përsëri.

“Unë kam punuar së bashku me babanë kur ishim pjesë e Shkumbinit në Superligën e Shqipërisë. Kush është ai lojtar që nuk do të donte të punojë me babanë e tij. Unë do të dëshiroja shumë dhe shpresoj që një ditë bashkë me Arturin të jemi nën urdhrat e tij”, shprehet 27-vjeçari.

Endri, i cili në të kaluarën ka luajtur për Shkumbinin, për Lushnjën e për Teutën në Shqipëri, tregon se me Gjilanin synon të dalë në Evropë.

Ndërsa, sa u përket synimeve personale shton se ato janë që të paraqitet sa më mirë dhe ta japë kontributin e tij, pra synon t’i arrijë dhe t’i realizojë objektivat me klubin e tij.

Artur Magani: Përballja me babanë emocionuese, marr këshilla nga ai

Për Artur Maganin ky është sezoni i dytë në futbollin kosovar.

Edicionin e kaluar ai ishte pjesë e Lirisë, ku punoi me trajnerin Bledi Shkëmbi.

Tash ai po e shijon eksperiencën te Feronikeli. Por ai në Kosovë nuk është i vetëm pasi i ka babanë dhe vëllain.

Atij i ka rënë të përballet me babanë dhe i zbulon ndjenjat që i ndien në ato duele.

“Normalisht, të luash kundër babait është emocion i veçantë. Por unë jam profesionist dhe mundohem ta trajtoj si ndeshje normale. Sigurisht që, edhe po t’i shënoj do e shijoj siç i shijoj golat tjerë. Me babanë flas gjithmonë, edhe para ndeshjeve dhe të gjitha këshillat që m’i jep, m’i jep për të mirën time”, thotë sulmuesi i rrezikshëm.

Edhe ai, njëjtë si Endi, një ditë do të donte të punojë së bashku me babanë dhe me vëllain.

“Po, kam punuar në të kaluarën me babanë dhe sigurisht që dëshira është shumë e madhe për të punuar sërish bashkë. Por, janë disa faktorë të tjerë që na e bëjnë të pamundur këtë”, shton Arturi.

Image

Ai zbulon se takohet shpesh me babanë dhe vëllain. Edhe pse jeton në Prishtinë, ndërsa trajneri Gugash në Mitrovicë, ai thotë se e gjen kohën të takohet me të, por edhe me vëllain.

Magani e ka përshkruar si eksperiencë të mirë atë në futbollin kosovar, për të cilin mendon se është në rritje.

Sipas tij, ky sezon është më i fortë sesa ai që shkoi dhe shprehet se Kosova i duket një vend i mirë me njerëz të mirë. Edhe në ekipin e ri thotë se e kanë pritur shumë mirë.

24-vjeçari po luan te lideri aktual i Superligës.

Mirëpo, ai nuk po mendon momentalisht për sukseset eventuale të fundsezonit, pasi është i fokusuar vetëm tek e tashmja.

“Synimet e mia janë që ta ndihmoj ekipin me paraqitje të mira dhe me gola. Pjesëmarrjen në Evropë nuk e mendoj që tani pasi kampionati është akoma i gjatë dhe duhet të mendojmë për ndeshjet që kemi”, përfundoi ish-futbollisti i Teutës dhe i Shkumbinit.

Maganët në fund shpresojnë të jenë gjatë pjesë e futbollit kosovar dhe t’i arrijnë objektivat, në nivelin individual dhe në atë ekipor. /Zëri/