Avokati i Popullit do ta vizitojë Sylejman Selimin në burg

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i është përgjigjur thirrjes së deputetit Daut Haradinaj për ta vizituar Sylejman Selimin në burgun e Dubravës.

Jashari tha për “EkonomiaSot” se Sylejman Selimi do të vizitohet javën e ardhshme.

Ai tha se Selimin e kanë vizituar edhe në mars të këtij viti.

Loading...

“Z.Selimi dhe të tjerët janë vizituar në mars 2018, në Dubravë dhe gjithashtu, ka qenë e planifikuar të vizitohen javën e ardhshme, gjatë vizitës së rregullt në Dubravë”, tha Jashari.

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës deputeti Daut Haradinaj i bëri thirrje Avokatit të Popullit për ta vizituar Sylejman Selimin në burgun e Dubravës pasi, sipas tij, po dyshohet se atij po i shkelen të drejtat e njeriut.

Para dy jave Gjykata Supreme e Kosovës ka liruar me kusht Jahir Demakun, ndërsa ka hedhur poshtë kërkesën për lirim të Sylejman Selimit.

Tomë Gashi, avokat i ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi, ka thënë se klienti i tij është duke u mbajtur padrejtësisht në burg. Sipas tij, vendimi për burgosjen e Sylejman Selimit është politik dhe pa asnjë bazë juridike.

“Nuk ka asnjë bazë juridike që Sylejman Selimi të vazhdojë të mbahet në burg. Në dy rastet ku ai ka qenë i akuzuar, është shpallur i pafajshëm. Si në rastin Drenica 1 dhe Drenica 2, ndaj Selimit kanë përfunduar gjykimet. Nëse ata guxojnë të vazhdojnë ta mbajnë në burg, le ta bëjnë këtë. Por, herdokur do të ndiqen penalisht të gjithë ata që pa asnjë bazë juridike po e mbajnë Sylejman Selimin në burg”.