Si edhe në shumë komuna tjera edhe në atë të Vushtrrisë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një varg parregullësish për vitin 2018-të.

Keq klasifikimi i shpenzimeve, dobësitë në menaxhimin e të dhënave në tatimin në prone, dobësi në udhëheqjen e procedurave të rekrutimit, mangësitë te marrëveshjet për shërbime të veçanta, mangësitë në menaxhimin e kontratave janë disa nga gjetjet e Auditorit, shkruan Reporteri.net.

Auditori ka identifikuar se gjatë 2018-tës në këtë komunë kishte pagesa nga kategoritë ekonomike jo adekuate si: shpenzimet e ekzekutuara nga thesari në vlerë prej 97,617€ kishin të bënin me keq klasifikime pasi që nga investimet kapitale ishin paguar paga të punonjësve të arsimit; dhe shpenzimet për investime kapitale në vlerë prej 10,109€ që kishin të bënin me projektin kapital “Renovimi i objekteve të QMF-ve dhe instalimi i ngrohjeve qendrore” ishte paguar gabimisht nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve.
Auditori thotë se kjo ka ndodhur si shkak i mungesës së mjeteve financiare dhe mos planifikimit të mjeteve nga kategoria përkatëse.

Dobësitë në menaxhimin e të dhënave në tatimin në pronë

Nga mostrat e testuara për pajtueshmërinë me rregulloret mbi vlerësimin e bazës tatimore, Auditori ka identifikuar dobësitë në vijim: në dy nga dhjetë raste nuk ishin aplikuar normat adekuate të vlerësimit të bazës tatimore sipas koeficientëve të kualitetit bazuar në nenin 5 pika (1.8.1) të UA 03/20118; dhe në tri raste në mungesë të numrit personal në sistem (Protax) nuk kemi mundur ti identifikojmë përfituesit që kanë më shumë se një pronë dhe që kanë përfituar më shumë se një herë prej zbritjes lidhur me vendbanimin kryesor, bazuar në Ligjin nr 03/L-204. Si shkak i ndodhjes së këtyre dobësive kanë qenë ngarkesat në punë dhe neglizhenca.

Dobësi në udhëheqjen e procedurave të rekrutimit

Në procesin e rekrutimit për mësues klase, dhe mësimdhënës për edukatë fizike është kërkuar ndër tjera edhe vërtetimi i përvojës së punës dhe çertifikatat e trajnimeve. Gjatë testimit të lëndëve identifikuam se të përzgjedhurit nuk i kishin plotësuar këto kritere.

Për më tepër edhe komisioni vlerësues nuk kishte mbajt evidenca për vlerësimin/poentimin individual për kandidatët, por me një procesverbal ishte përmbledh i tërë procesi. Dobësitë e identifikuara janë shkaktuar nga neglizhenca, pakujdesia dhe kompetenca jo e duhur e komisioneve për ta kryer punën.

Mangësitë te marrëveshjet për shërbime të veçanta

Komuna e Vushtrrisë gjatë vitit 2018 kishte të angazhuar 38 punonjës me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta.

Për të gjitha rastet fillimisht janë përdorë procedura të thjeshtësuara të rekrutimit, përderisa për 23 prej tyre ju kishte vazhduar kontrata edhe për gjashtë muaj tjerë me kërkesë nga drejtoritë përkatëse ku ishin të angazhuar.

Mangësitë në menaxhimin e kontratave

Auditori ka indentifikuar se në lëndë mungojnë raportet e menaxherëve të kontratës, si në rastet e më poshtme: te dy pagesa në vlerë prej 10,879€ për kontratën “Furnizim me karburante dhe vaj për automjete, ngrohje dhe gjeneratorë” dhe te tri pagesa në vlerë prej 5,153€ për kontratën nga AQP “Furnizim me karburante për nevoja të A.K” mungonin raportet e menaxherëve të kontratës që e konfirmojnë pranimin; dhe Te pagesa në vlerë prej 240€ për kontratën e “Sigurimin e automjeteve” po ashtu mungonin këto raporte.
Auditori thotë se mungesa e raporteve është shkaktuar ngase zyrtarët e caktuar si menaxher të kontratave nuk kanë qenë të informuar me udhëzimet për kërkesat e tilla.

Vonesat në liferimin e mallrave

Auditori kja vërejtur se në tri kontrata (shtatë pagesa) kishte vonesa në liferim të mallrave dhe nuk janë aplikuar ndëshkime të përcaktuara në kontratë për rastet e më poshtme.

“Në tri pagesa në vlerë prej 103,150€ për “Furnizim me lëndë djegëse – dru për ngrohje për nevoja të A.K – Vushtrri”, vonesat ishin nga 15 deri në 50 ditë përtej afatit të përcaktuar 10 ditor me kontratë; në dy pagesa në vlerë prej 12,497€ për kontratën “Furnizim me material shpenzues dhe reagenca për laborator të QKMF-re” vonesat ishin nga 20 deri në 170 ditë mbi afatin e përcaktuar 5 ditor me kontratë; dhe në dy pagesa në vlerë prej 2,197€ për kontratën “Furnizim me material për mirëmbajtjen e objekteve të A.K Vushtrri” vonesat ishin nga 19 dhe 37 ditë mbi afatin e përcaktuar 3 ditor me kontratë”, thuhet në raport.

Arsyeja e vonesave ishte menaxhimi jo i duhur i kërkesave për furnizim nga Komuna dhe mos aplikimi i penaleve.

Dobësitë në menaxhimin e subvencioneve

Edhe në këtë komunë Auditori ka gjetur disa dobësi në menaxhimin e subvencioneve të cilat kishin të bënin me mangësitë në përcaktimin e kritereve për aplikim dhe monitorimin e tyre si: te dhënia e subvencioneve për “makinë për konservimin e barit – rrotoballer” dhe “për përfitim të serave tipit tunel prej 2 ari”, ka vërejtur së në të dy thirrjet për aplikim nuk ishin kërkuar kritere të matshme dhe specifike për përzgjedhjen e përfituesve potencial.

“Kjo ka bërë që pothuajse të gjithë aplikantët të plotësojnë kriteret, andaj nga komisioni kanë ardhë në shprehje nën kritere tjera për selektim, që nuk ishin të shkruara. Për më tepër, për aplikantët e refuzuar me arsyen që kanë qenë përfitues në vitet e mëparshme, zyrtarët nuk kanë arritur të na dëshmojnë këtë vlerësim; në dy pagesat në vlerë prej 13,000€ të përfituesve përmes Thirrjes Publike për financim të projekteve të personave juridik-OJQ, ne kemi vërejtur që përfituesit nuk kanë raportuar sipas nenit (4) të kontratës mbi bazën e raportimeve tre mujore dhe gjysmë vjetore të zbatimit të projektit. Raportimi ishte kryer pas përfundimit të projektit dhe atë jo për tërë shumën e përftuar; dhe në një rast të subvencionimit për ndihmë personit fizik në vlerë prej 3,000€, përfituesi nuk ka raportuar në bazë të nenit 2.2.2 të marrëveshjes për mbikëqyrjen e shfrytëzimit të mjeteve, i cili parasheh raportimin e shpenzimeve të mjeteve nga ana e përfituesit pas 45 ditëve të përfitimit të subvencionit”, thuhet në raport.

Vonesat në realizimin e projekteve kapitale

Në kushtet e veçanta të kontratave të punës ishte definuar afati për realizimin e punimeve.

“Në projektet e mëposhtme identifikuam vonesa në realizimin e projekteve si: kontrata “Asfaltimi i rrugës lokale Vushtrri Sllatinë’’ në vlerë prej 173,319€ e datës 24.09.2018, ishte paraparë të përfundoj me datë 25.11.2018 (vonesa – 60 ditë kalendarike); kontrata ‘’Asfaltimi i nëntë rrugëve lokale të Komunës së Vushtrrisë’’ në vlerë prej 128,234€, e datës 31.10.2018, ishte paraparë të përfundoj me datë 03.01.2019 (vonesa – 40 ditë pune); dhe asfaltimi i rrugëve në 14 fshatrat e Komunës së Vushtrrisë – llot1 afaltimi i rrugëve në shtatë fshatra” në vlerë 133,535€ e dates 31.07.2018, ishte paraparë të përfundoj me datë 11.12.2018 (vonesa – 90 ditë pune). Në të gjitha projektet e lartë përmendura punët nuk kishin përfunduar deri në kohën sa ne ishim në auditim 29.03.2019. Gjithashtu kemi rishikuar realizimin e projekteve të cilat ishin trajtuar si vonesa në raportin e auditimit të vitit 2017. Te projekti ‘’Renovimi i shtëpisë së Mahmut Agë Gjinolli’’ kemi vërejtur se punët ende nuk kishin përfunduar, përkundër që ky projekt ishte paraparë të përfundonte me 04.12.2017.”, thuhet në raport.

Vonesat në realizimin e kontratave kryesisht ishin për shkak të mungesës së menaxhimit adekuat nga ana e komunës, mungesës së projekteve ekzekutuese, problemeve me banorët lokal për shkak të çështjeve të pa definuara pronësore, kushteve atmosferike, specifikave të punëve etj.

Dobësitë në menaxhimin e pasurive

Në tri raste pasuritë e blera nuk ishin regjistruar në sistemin e SIMFK-së si: pagesa për “Furnizimi me automjet tereni për nevojat e QKMF-re” me vlerë 27,950€, e datës 20.11.2018; pagesa për “Renovimi i objekteve të QMF-ve dhe instalimi i ngrohjes qendrore” me vlerë 10,109€, e datës 24.12.2018; dhe pagesa për “Renovimi i shkollave fillore dhe të mesme në komunën e Vushtrrisë” me vlerë 3,311€, e datës 11.09.2018.
Gjithashtu, mangësi janë vërejtur edhe në menaxhimin e sistemit E-pasuria pasi për disa pasuri nuk është kalkuluar fare zhvlerësimi.

Auditori thotë se komuna kishte bërë përpjekje dhe kishte arritur të ketë një menaxhim më të mire të pasurisë, megjithatë rastet e identifikuara më lartë vijnë si pasojë e neglizhencës së zyrtarëve, si dhe menaxhimit jo adekuat të sistemit E-Pasuria nga ana e Ministrisë së Administratës Publike. /Reporteri.net/.