ARRATISJA E FUNDIT SI PASOJË E KRIZËS MORALE E KULTURORE DHE SI MJET PËR TA IMPONUAR DISIPLINIMIN E RI TË SHQIPTARËVE

Prof. Milazim KRASNIQI
Arratisja dramatike nga Kosova drejt shteteve të Bashkimit Evropian e kontigjenteve të tëra të shtetasve të Kosovës, paraqet një ballafaqim i ri të shoqërisë dhe të shtetit tonë, me një tragjedi të vjetër, për të cilën ishte menduar se do të mbetej vetëm një kujtim nga e kaluara e hidhur. Por, kësaj here armiku është kameleonik dhe i maskuar. Serbisë dhe akterëve të tjerë të interesuar për destabilizimin e kontroluar të Kosovës, kësaj here i ka mjaftuar që për arratisjen e shqiptarëve të krijojë atë që Çubrilloviqi e pati quajtur “krijimi i psikozës së përshtatshme.” Në të kaluarën krijimin e psikozës së përshtatshme për ikjen e shqiptarëve, Serbia e pati realizuar me dhunë policore, ushtarake dhe me provokimet e kolonëve serbë, ndërsa kësaj here po zbatohet me anën e shërbimeve sekrete, të infiltruara në segmente të ndryshme mediale e politike dhe të krimit të organizuar edhe të vetë shqiptarëve të Kosovës. Zbatimi i kësaj taktike destabilizuese, kësaj here po bëhet më lehtë, për shkak të krizave të ndryshme, që e kanë goditur shoqërinë shqiptare të Kosovës në këto vitet pas çlirimit, duke krijuar një ambient konfuzioni, letargjie dhe pakënaqësie të theksuar.
Për rimëkëmbje u zgjodh rruga e gabuar
Për dëshpërimin dhe arratisjen e shumë shqiptarëve nga Kosova në këta muajt e fundit, shkaqe ka shumë dhe sigurisht që të gjitha ato shkaqe nuk mund të evidencohen e as të vlerësohet se cili ka pasur ndikim më shumë se tjetri. Por, meqë duhet të fillohet nga një pikë, atëherë kujtoj se duhet të fillohet nga pika fillestare krizës, e ajo është kriza morale, që e pllakosi shoqërinë tonë menjëherë pas çlirimit të vendit. Pra, kriza e Kosovës, para se të jetë ekonomike e politike, ka filluar dhe është përthelluar si krizë morale. Pas krizës morale shpërfaqet kriza kulturore e vetëm pas këtyre vjen kriza ekonomike, ndonëse ajo duket si kryesorja në sipërfaqe. Pse mund të thuhet kështu? Sepse krizë ekonomike shumë më të theksuar Kosova ka pasur fill pas çlirimit, kur njerëzit janë kthyer masivisht në atdhe, edhe në shtëpi tërësisht të shkatërruara. Shumë familje shqiptare i kanë kaluar edhe dimrat në shatore, por nuk kanë dashur të arratisen. Ndërsa, krizë politike më të thellë se sa që ka sot, ka pasur në gjithë historinë e shkrurtër të çlirimit e të pavarësisë. Mjafton të kujtohet viti 2004, si vit i kollapsit politik. Por as ajo krizë e rëndë dhe ajo dhunë e egër e policisë së UNMIK-ut dhe e KFOR-it, nuk pati nxitur arratisje nga vendi.
Kur fokusoj krizën morale nuk e kam fjalën për pasojat e poshtërimit që përjetuam si njerëz e si popull për shkka të dëbimit nga vatrat tona dhe nga gjithë ajo barbari që gjenocidale, zbrazi shteti serb kundër popullit tonë shqiptar në vitet nëntëdhjetë. Jo. Bile ajo përvojë e vuajtjeve të papërshkrueshme do të mund të ishte themeli i një katarze dhe fillimi i ndërtimit të një shoqërie më të drejtë e më solidare dhe të një shteti të së drejtës. Por, që nga fillimi u zgjodh një rrugë krejt e kundërt: në vend se në themelet e shoqërisë së re të vendosej ajo përvojë e hidhur, u zgjodh që të ato themele të murohej gënjeshtra, mashtrimi, hajnia, arroganca, dhuna politike, shpifja, lakmia për pasuri e pushtet të pamerituar e deri dhe banditizmi. Kështu filloi të shmangej sjellja morale nga jeta private dhe nga sfera publike. Eliminimi i sjelljes morale, i shoqëruar edhe nga presioni e nga dhuna në jo pak raste, solli eliminimin nga skena publike të personave dhe të subjekteve shoqërore, kulturore e fetare, që në kushte normale do të ishin kontributorë të dobishëm të dialogut politik dhe të harmonisë shoqërore. Skena e boshatisur prej tyre, u mbushë nga akterë ambiciozë e të dhunshëm, që në emër të meritokracisë në luftë, filluan të dhunojnë lirinë e të tjerëve në paqe. Prandaj, nëse e fituam lirinë nga pushtuesi, nuk e arritëm edhe atë që Ruzvelti e pati quajtur “liria nga frika.” Pëkundrazi, në Kosovën e lirë, po edhe në Kosovën e pavarur, frika i hapi krahët si një shpend grabitçar mbi kokat e secilit. Njerëzit që ishin të traumatizuar nga gjenocidi serb, nuk patën energji të mjaftueshme që t’i kundërviheshin frikës, që po u vinte nga bashkëkombasit e vet. Edhe shumë nga ata që kishin rezistuar trimërisht në robëri, u thyen në liri. Sjellja dhe veprimi imoral triumfoi, jo vetëm në sferën publike, por e lëndoi rëndë edhe atë private e familjare.
Në këtë thyerje të moralit proverbial shqiptar, kanë investuar shumë para e shumë energji edhe shumë organizata e shoqata të huaja që u instaluan në Kosovë, qoftë në bazë të rezolutës 1244, qoftë dhe vetëm për misionet e veta. Njëri nga objektivat e organizatave që u instaluan sipas rezoluëstr 1244 ishte rikthimi i Kosovës nën Jugosllavi, pas një faze kalimtare të rindërtimit. Për këtë arsye, kriteri i parë i akterëve ndërkombëtar ishte të rekrutonin ish segmente projugosllave e të shërbimeve të fshehta jugosllave, që t’i rehabilitonin e t’i venin në shërbim të ri. Dhe patën sukses. E ashtuquajtura shoqëri civile, një pjesë e medieve dhe jo pak biznese që filluan të ngriheshin pas çlirimit, ranë në duart e këtyre personazheve. Edhe punësimi në institucionet e prezencës ndërkombëtare masivisht e pati këtë parashenjë dhe u bashkua në rrjedhën e përgjithshme të ndërtimit të një shoqërie të përulur e në shërbim të të huajve. Me një pjesë të vendalinjve arrogantë mbi krye, si përfitues nga fitorja e NATO-s dhe me të huajt parelinj në krahë, thyerja morale dhe zvetënimi i identitetit kulturor shqiptar u kompletua. Bile u hapën në mënyrë arrogante edhe tema drastike si krijimi i kombit kosovar e konvertimi i muslimanëve në katolikë, që gjë prodhoi shumë hutesa e letargji në sferën publike të komunikimit e të angazhimit. Gara e sotme e shumë politikanëve për të fyer sa më shumë identitetin dhe ndjenjat e muslimanëve shqiptarë është bërë e popullarizuar si ajo gara e njohur për të pështyrë sa më larg. Përderi sa ata që pështyejnë më së largu, fitojnë një medalje, këta politikanë e analistë që fyejnë brutalisht identitetin dhe ndjenjat tona më sublime, marrin fonde të majme, poste, ofiqe dhe imunitet nga ndjekja për krime eventuale. Prandaj, në këtë realitet absurd shfaqet një zhgënjim i madh i shumë qytetarëve.
Presionet islamofobike dhe kozmopolitizmi
Ka edhe një zhvillim kulturor global, që duhet të kihet para sysh,veçmas kur është fjala për arratisjen e të rinjve. Meqë çlirimi i Kosovës koincidoi me kohën kur ndodhi eksplodimi i ndikimit të internetit dhe të hedonizmit e konsymerizmit të pafre, një pjesë e rinisë u dorëzua para kësaj lodre të re dhe para pasioneve hedoniste. Shpejt u hoq dorë nga vlerat e traditës shqiptare, nga kujtimet historike, nga artet dhe nga kultura kombëtare, në emër të kozmopolitizmit e të kulturës së huaj dhe sot kemi të bëjmë me breza të tërë të tjetërsuar kulturalisht dhe të zvetënuar moralisht. Përhapja e tmerrshme e përdorimit të drogave, në radhët e rinisë së kësaj kategorie, është treguesi më autentik i këtij ndryshimi moral e kulturor. Edhe prostitucioni u përhap dhe pothuajse u bë legal, gjë që shumë familje mund t’i nxitë përt t’u arratisur, që t’i shpëtojnë si të munden fëmijët e vet nga rreziku i drogave dhe i prositucionit. Gjithë ato të ashtuquajtura motele anëkend rrugëve magjistrale, janë punkte ku faktikisht ushtrohet prostitucioni, ndërsa shoqëria ka mbetur e topitur ndaj kësaj dukurie të shëmtuar. Shteti me institucionet e tij përkatëse është përgjegjës për këtë atentat, që i është bërë moralit të popullit tonë.
Nuk duhet të lëmë jashtë vënmendjes edhe një krizë morale e kulturore të trashëguar nga periudha e komunizmit, mbi të cilën kanë gjetur truall të përshtatshëm edhe të tjerat. Meqë shoqëria jonë ka qene pjesë e një shteti komunist për gati gjysmë shekulli, ajo i ka vuajtur pasojat e çmoralizimit të madh komunist. Propaganda gjysmë shekullore kundër besimit në Zot, kundër pronës private e kundër vlerave të familjes, ka lënë pasoja të rënda. Ashtu sikundër e ka theksuar Zbigniev Brzhezhzinski, pasojat më të mëdha komunizmi nuk i ka lënë më ekonomi, po në moral. Natyrisht, shoqëria jonë nuk ka qenë përjashtim prej kësaj dukurie të shëmtuar, por ajo disi e ka maskuar, duke e fryrë retorikën atdhetare në përpjekjet e veta për çlirim kombëtar. Por, pas çlirimit ka rënë maska e atdhetarizmit të sforcuar, prandaj doli në lendinë pasoja e çmoralizmit të gjatë komunist.
Parazitizmi dhe abuzimi me shërbimet
Në një kësi ambienti të rënduar moral e kulturor, edhe fushatat joselektive policore të para do kohësh, në emër të luftimit të ekstremizmit fetar, kanë prodhuar jostabilitet emocional dhe frikë neurotike te shumë të rinj, që duan ta manifestojnë besimin e vet fetar në mënyrë paqësore, Pra, nën pretekstin e luftimit të ekstremizmit, në Kosovë realisht është duke u luftuar vetë besimi islam, që është besimi i shumicës absolute të shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në tërësi. Pra, këto presione prodhojnë ndjenjën e frikës dhe arratisjen. Secili prej nesh që jemi të angazhuar publikisht në mbrojtjen e vlerave të Islamit paqësor e universal dhe të lirive e të drejtave kushtetuese të besimtarëve muslimanë në këtë shtet, ( e këtu nuk hyn në asnjë rast, asnjë formë e ekstremzimit), e ndiejmë izolimin, nënçmimin dhe kërcënimin permanent. Nëse ne si njerëz publikë kemi energji të rezitojmë deri dikund, besimtarët e thjeshtë mund të mos e kenë atë energji dhe prandaj ata zgjedhin arratisjen, si shpëtim nga kjo psikozë kërcënuese antiislame.
Nuk mund të shmanget nga kjo panoramë e shkaqeve morale e kulturore, natyrisht pa i përjashtuar edhe krizat shumëplanëshe ekonomike e politike që e stimulojnë arratisjen, edhe prirja parazitare dhe kleptomane e një kontigjenti të qytetarëve të këtij vendi. Të adoptuar në vitet nëntëdhjeta që të jetonin me ndihmat e familjarëve nga diaspora dhe nga ndihmat humanitare pas luftës, këto kontigjente nuk janë aftësuar që të jetojnë ndershmërisht nga puna e vet, në kushtet kur shteti nuk ofron as ndihmë e as shanse të mjaftueshme. Shumë sish kanë bërë përpjekje që ta vazhdojnë jetën pa punuar, duke marrë kredi komerciale me kamata të larta. Sipas një të dhëne të publikuar në medie, rreth 500.000 qytetarë të Kosovës deri tash kanë marrë kredi në banka komerciale. Ka jo pak raste që janë marrë kredi të tilla edhe për të shkuar në pushime në Durrës. Kjo barrë e borxheve me kamata enorme e ka përkeqësuar prospektin edhe ashtu të keq ekonomik të shumë familjeve, që tash kërkojnë shpëtim duke ikur jashtë vendit.
Nga ana tjetër, shteti për këto vite ka lejuar edhe mospagesën e shërbimeve nga ana e qytetarëve veçmas të energjisë elektrike, duke synur që ta blejë ashtu paqen sociale. Por, kur ka filluar shtrëngimi i tyre nga operatori privat, reagimi i shumë prej tyre ka marrë përmasa iracionale. Ata nuk janë edukuar që të paguajnë shërbimet po janë lejuar thjesht të vjedhin. Statistikat tregojnë për qindra milionë euro që qytetarët ua kanë borxh operatorëve të ndryshëm si KEDS-it, ujësjellësve, kompanive të pasrimit, etj. Edhe kjo sjellje abuzive është element përbërës i krizës morale. Natyrisht kur nuk paguhen shërbimet, ato nuk mund të përmirësohen. Prandaj, edhe pesëmbëdhjetë vjet pas çlirimit, shumica e vendbabnimeve të vendit tonë kanë reduktimeve të enegjisë elektrike e të ujit dhe janë të mbuluara nga papastërtia. Kur hyhet në një rreth të tillë vicioz, ata që vetë e shkatojnë gjendjen e keqe të furnizimit e të papastërtisë, dëshëprohen prej asaj që përjetojnë e shohin dhe në një moment përpiqen të ikin jashtë qarkut të saj, qoftë dhe duke e marrë botën në sy.
Arratisjes së kohëve të fundit i ka ndihmuar dukshëm edhe mbajtja e Kosovës për tërë këto vite në një izolim të hekurt nga ana e Bashkimit Evropian. Ky izolim është i motivuar nga mosnjohja e Kosovës nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian në njërën anë dhe nga dëshira e të tjerave që t’i bëjnë koncesione maksimale Serbisë në përpjekje për ta shkëputur sa më shumë nga influenca ruse. Sido që të jetë, izolimi ka prodhuar pakënaqësi të thella, të cilat reflektohen edhe si nisje demonstrative e aventureske e shumë të rinjve drejt Evropës, pasi është humbur shpresa se mund të ndodhë lëvizja e lirë e shtetasve të Kosovës në vendet e BE-së.
Natyrisht, një kontigjent i konsiderueshëm i ikanakëve është i frustruar realisht me qeverinë dhe me institucionet, në të cilat nuk shohin përfaqësuesit e vet dhe mbrojtësit e vet. Ata bëjnë përpjekje që duke u arratisur, të çlirohen disi nga prangat e varfërisë ekstreme, për të cilën si përgjegjëse e shohin qeverinë.
Për fund: në Kosovën e lirë që nga fillimi kanë ndodhur disa deformime morale e kulturore të cilat jo vetëm që po e lehtësojnë arratisjen dhe manipulimin me të, por po e rrezikojnë identitetin tonë kulturor, fetar e kombëtar. Arratisja e muajve të fundit, krahas skenarëve të fshehtë destabilizues të Serbisë dhe të akterëve të ndryshëm ndërkombëtar, të ndihmuar edhe nga segmente mediale, politike e të krimit të organizuar vendas, është pasojë e këtij degradimi sistematik moral, kulturor e nacional. Lakmia për pasuri e ka rrezikuar moralin individual e familjar, e ka eroduar solidaritetin brenda komunitetit, i ka hapur rrugë përdorimit të drogave dhe prostitucionit, e ka instaluar në komunikim gënjeshtrën dhe mashtrimin, duke dhunuar vlerat e dikurshme të besës e të mbajtjes së amanetit. E dyta, kozmopolitizmi e ka dëmtuar kulturën tonë kombëtare, ndërsa servilizmi i elitave politike e intelektuale para të huajve, ka shkatërruar edhe atë pak nacionalizëm shqiptar që pati mbijetuar betejën finale për Kosovën. Islamofobia u është ndajmbahtur për të shtypur liritë dhe të drejtat elementare të besimtarëve muslimanë dhe për të devijuar identitetin fetar të shumicës absolute të shqiptarëve. Të gjitha këto trende janë shftyrëzuar nga segmentet që e kanë provokuar dhe po e menaxhojnë edhe arratisjen e fundit të shqiptarëve nga Kosova, për qëllimet e tyre të caktuara, ve;mas për luftimin e nacionalizmit shqiptar dhe të ekstremizmit fetar. Lufta kundër këtyre dy shfaqjeve të kohëve të fundit, sado që kanë qenë latente, janë në themelin e provokimit të kësaj lëkundjeje tektonike demografike të shqiptarëve të Kosovës.
Me këët rast nuk mund ta pohoj me siguri të plotë se a e ka motivin ky skenar destabilizues ndaj Kosovës më shumë te skandali me dronin në stadiumin e Beogradit apo tek skandali tjetër i pjesëmarrjës së disa të rinjve shqiptarë të Kosoëvs në radhët e organiztava e terroriste në Siri e në Irak. Por, edhe ajo shfryrje e panevojshme kuazinacionaliste e shqiptarëve në të gjitha trojet shqiptare e edhe pjesëmarrja e mercenaravëe shqiptarë në radhët e grupeve terroriste në Siri e në Irak, ka frikësuar shumë kend në komunitetin ndërkombëtar. Natyrisht, në pako për disiplinimin e shqiptarëve mund të jetë edhe përgatitja e terrenit për themelimin e Gjykatës Speciale me anën e këtij destabilizimi spektakular të gjithë shoqërisë së Kosovës. Sido që të jetë, ky është një destabilizim i kontrolluar dhe me objektiva afatshkurtëra. Edhe spe qartë është një agjens i jashtëm që e provokon këtë arratisje të dhimbshme, ky është ndihmuar nga agjensë të brendshëm, kriza morale e kulturore në rend të parë. Të tjerat janë pasoja.
 A ka zgjidhje?
Por, edhe kjo gjendje e rëndë ka një zgjidhje. Uurgjentisht duhet të vihet theksi te heqja e dyshimit tek aleatët tanë strategjikë, për gjoja qëllimet e fshehta të shqiptarëve, një recetë e vjetër e armiqve tanë, por që në njëfarë dore është riafirmuar edhe për shkak të naiviteteve tona. Nëse eliminohet frika e aleatëve tanë strategjikë nga qëllimet tona gjoja të fshehta, që sipas tyre mund ta kenë burimin te nacionalizmi dhe te Islami radikal, atëherë mund të eliminohet edhe nevoja e tyre që të deprimojnë me mbajtjen në pushtet të elitave kleptomane, të na ridizajnojnë kulturalisht e fetarisht dhe që të na disiplinojnë, qoftë dhe duke hapur korridoret që e mundësojnë rrallimin tonë demografik.