Arma dhe droga në veturën e babait të shefit të AKI-së, flet Policia e Kosovës

Policia e Kosovës (PK), publikon këtë informacion sqarues me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me shkrimin, fillimisht të publikuar sot në gaztën koha ditore, e pastaj edhe në disa media elektronike, të titulluar “Armë e drogë në veturën e babait të shefit të AKI-së, i dyshuar djali i tij ”, andaj lidhur me ketë shkrim sqaron me sa vijon:

Loading...

Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet vepron konform autorizimeve ligjore që ka, duke përfshirë konsultimin dhe koordinimin me organet e drejtësisë, njësoj siç ka vepruar edhe në rastin konkret të datës 12.10.2018 të cilësuar “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i paautorizuar i armës (municionit)”.

Siç u potencua me datë 12.10.2018, njësia policore  gjatë patrullimit rutinor në fshatin Zllatar, kishte ndaluar  veturën Golf IV me targa vendore, ku gjatë kontrollimit të tre personave që gjendeshin në veturë, duke përfshirë të apostrofuarin në media (Sh. M), ishte gjetur një revole e llojit “Zastava”, me një karikator dhe katër fishek të kalibrit 6. 35 mm.

Gjatë vazhdimit të kontrollit të automjetit, në një pjesë të veturës është gjetur një thikë, si dhe një cigare e mbështjellë e cila dyshohej të jetë substancë narkotike, një mulli i bluarjes grinder ndaj të cilave janë duke u kryer hetime.

Personi i dyshuar ( A. K. ), i cili ka qenë në veturë ka deklaruar se cigarja e mbështjellë e gjetur brenda në veturë, si dhe mulliri i bluarjes grinder i përkasin atij .

Si rezultat i vazhdimit të hetimeve, nga njësitet policore është intervistuar edhe personi i katërt i dyshuari ( R. M ), i cili ka deklaruar se arma është e tij dhe se i njëjti e ka harruar në veturën e apostrofuar dhe se nuk i përket të dyshuarit (Sh. M).

Lidhur me të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori kompetent, me rekomandim të të cilit rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

Andaj ritheksojmë se PK-ja është institucion i zbatimit të ligjit dhe mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë angazhimet e saja profesionale edhe në rastin konkret, për të cilin ka ngrit kallëzim penal.