Kapaciteti i stadiumit nacional të Kosovës do të jetë rreth 30 mijë ulëse, që do të ndërtohet në Drenas, e që do të jetë foleja më e re e ‘Dardanëve’. Stadiumi i ri është dizajnuar që t’i bëjë të gjithë futbolldashësit kosovarë në një vend.

“Struktura e re urbane do të jetë një urë për njerëzit, duke i bashkuar ata me gëzimin e sportit”, ka thënë Murat Tabanlioglu, themelues i studios nga Stambolli, Tabanlioglu Architects.

“Duke reflektuar identitetin bashkëkohor dhe multietnik të Kosovës, stadiumi do të sjellë së bashku 30.000 njerëz. Derisa Kosova kohët e fundit doli nga një luftë civile, ndërveprimi midis njerëzve është i rëndësishëm”, ka shtuar më tej ai për Dezeen.

Stadiumi Nacional i Kosovës do të jetë shtëpia e ekipit përfaqësues të futbollit të vendit.

Përfaqësuesja e jonë u njoh zyrtarisht nga trupi administrativ i UEFA-s dhe organi ndërkombëtar FIFA në vitin 2016, pas shpalljes së pavarësisë së vendit në vitin 2008.

Ekipi momentalisht luan në stadiumin “Fadil Vokrri” me një kapacitet prej 13.000 vendesh, por derisa futbolli po merr popullaritet më të madh, kërkohet një vend më i madh. Stadiumi nacional do të ndërtohet për të përmbushur kërkesat aktuale të FIFA-s dhe UEFA-s për mbajtjen e ndeshjeve ndërkombëtare.

“Popullsia dinamike dhe e re krijon një kërkesë të fortë për sport, rekreacion dhe ngjarje shoqërore. Stadiumi i ri kombëtar shihet si një nevojë urgjente në fushën e futbollit, si dhe ekipi kombëtar po bëhet gjithnjë e më i suksesshëm”, ka shtuar Tabanlioglu.

Stadiumi do të ndërtohet nga korniza e betonit që do të mbështesë tasin e ndenjëseve dhe një kornizë çeliku të lehtë duke mbajtur fasadën strukturore të pëlhurave të stadiumit.

“Fasada e stadiumit është e mbrojtur nga një material fleksibil tekstili në harmoni me parkun natyror që i bashkohet kësaj strukture të madhe, duke ndarë kështu me shkallë të madhe shkallën dhe masën e stadiumit, në mënyrë që struktura të sillet si një perde e hollë midis parkut dhe qiellit”, shpjegoi më tutje Tabanlioglu.

Stadiumi do të ndërtohet së bashku me dy fusha të trajnimit, si dhe një grup ndërtesash që strehojnë objekte tregtare dhe argëtuese.

Një park për ngjarjet kulturore dhe koncertet në ambient të hapur do ndërtohen gjithashtu si pjesë e planit. /Telegrafi/

No tags for this post.