Anulohet konkursi në spitale pas tentativave që drejtorë të zgjidheshin persona të afërt me PDK-në

Edhe për një kohë, Spitali i Vushtrrisë dhe ai i Mitrovicës nuk do të qeverisen nga njerëz të lidhur me PDK-në.

Loading...

Javë më parë, ishte raportuar që Mimoza Zeqiri, gruaja e Lulëzim Zeqirit, këshilltar i Kadri Veselit, ishte vlerësuar me pikë maksimale nga komisioni vlerësues për të udhëhequr me spitalin e Mitrovicës.

Gjithashtu komisioni vlerësues i kishte dhënë pikë maksimale ish-drejtorit komunal nga radhët e PDK-së, Sami Istrefit, i cili një mandat e udhëhoqi drejtorinë e shërbimeve publike e një mandat tjetër atë të urbanizmit.

Mirëpo, zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së ia ka konfirmuar KTV-së se ka marrë vendim që ta anulojë këtë konkurs.

Megjithatë, SHSKUK-ja thotë se arsyeja e anulimit të konkursit është për shkak se nuk u arrit të intervistoheshin me kohë kandidatët.

“Po, ka kaluar afati ligjor dhe për këtë arsye është anuluar konkursi për spitalin e Mitrovicës dhe Vushtrrisë. Kandidatët nuk janë intervistuar sepse Komisioni përzgjedhës nuk ka qenë i plotë, pasi që anëtari nga komunitetet ka pasur një udhëtim jashtë vendit, për arsye personale, dhe anëtarja tjetër ka qenë në pushim mjekësor, pasi që ka pasur probleme shëndetësore”, thuhet në përgjigjen nga Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së.

Reagime për parregullsitë në këtë proces pati edhe nga dy kryetarët e komunave, Agim Bahtiri i Mitrovicës dhe Xhafer Tahiri i Vushtrrisë.

Bahtiri dhe Tahiri, përmes një reagimi të përbashkët, kishin kërkuar anulimin dhe shqyrtimin e këtij konkursi.

Por ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i kishte akuzuar Bahtirin e Tahirin se më shumë janë të shqetësuar për vete e jo për qytetarët dhe sistemin e shëndetësisë në këto qytete.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka konfirmuar se është duke e vazhduar konkursin edhe për disa spitale tjera rajonale dhe klinikat e QKUK-së.

Ndërsa pritet të rishpallet së shpejti konkursi për drejtor të Klinikës së Endokrinologjisë, pasi edhe ai ishte anuluar.