Sipas një sondazhi publik të një organizate amerikane dhe një orgnizate gjermane, amerikanët dhe gjermanët janë thellësisht të ndarë sa i përket marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë. Rreth 70 për qind e amerikanëve mendojnë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mira, por 73 për qind e gjermanëve thonë se këto marrëdhënie janë të këqija.

Përqindja e gjermanëve që e kanë këtë përshtypje është rritur në mënyrë të konsiderueshme nga viti i kaluar, kur ishte 56 për qind. Sondazhi është realizuar përmes thirrjeve telefonike dhe në të janë përfshirë 1 mijë të rritur në SHBA dhe 1 mijë të rritur në Gjermani. Rezultatet e këtij sondazhi dëshmuan se dy popujt kanë dy pikëpamje krejtësisht të ndryshme për njëri-tjetrin.

Të anketuarit nuk patën dallime vetëm për aspektin e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe për rëndësinë e vendit tjetër për politikën e jashtme të atdheut të tyre. Përderisa 70% e të anketuarve amerikanë besojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë më shumë me Gjermaninë, vetëm 41% e të anketuarve gjermanë mendojnë se Gjermania duhet të bashkëpunojë më shumë me Shtetet e Bashkuara.

Shumica e gjermanëve mendojnë se Franca është partneri më i rëndësishëm i politikës së jatshme, ndërsa vetëm 35% e tyre mendojnë se partneri më i rëndësishëm është SHBA-ja. Në anën tjetër, shumica e amerikanëve mendojnë se Britania e Madhe, Kina dhe Kanadaja janë partnerët më të rëndësishëm, ndërkaq vetëm 9% e tyre e vlerësojnë Gjermaninë si partnerin më të rëndësishëm.

Besohet se ndryshimi i qëndrimit të gjermanëve ndaj SHBA-së ka ndodhur për shkak të politikave të presidentit Trump. Ai e kishte akuzuar Gjermaninë se është bërë rob i Rusisë, për shkak të varësisë ndaj burimeve ruse të energjisë, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.