Aktivistë nga Drenasi i vendosin “vizë” Johannes Hahnit

Aktivistë nga Drenasi janë mbledhur tek hyrja e ndërtesës së BE-së për të shprehur indinjatën karshi kësaj të fundit për mosliberalizmin e vizave.

Loading...

Ata kanë vendosur një baner me porosi për vizitën e komisionarit evropian për Zgjerim, Johannes Hahn.

“Mirëserdhe në Kosovë z Hahn! Ne jemi për reciprocitet, kështu që u duhet viza që të hyni në  Kosovë. Për një vizë, u duhen 45 dokumente të ndryshme dhe 35 euro.(Hiqni vizat)”, ishte kjo porosia për komisionarin evropian i cili pritet që sot të qëndroj për vizitë në Kosovë.

Aktivisti nga Drenasi, Xhavit Drenori tha se kanë ardhur për të dhënë këtë porosi për komisionarin evropian dhe për te shprehur indinjatën ndaj BE-së për qasjen karshi qytetarëve të Kosovës, të cilët po vazhdojnë të jenë të izoluar dhe pa liberalizim të vizave.

Sipas tij, për gjendjen në Kosovë, fajtor nuk është vetëm politika vendore,   por edhe vetë BE-ja e cila e ka ndihmuar formimin e shtetit të Kosovës.

“Nëse ata mendojnë se elita jonë politike është e korruptuar atëherë të mos bashkëpunojnë me ta, por mos t’i lënë qytetarët të izoluar”, tha ai.

Ndryshe gjatë ditës së sotme komisionari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn gjatë kësaj vizite në Kosovë pritet të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj.