Aktakuza e Thaçit ndaj Haradinajt: Shkeli Kushtetutën, rrezikoi Sigurinë, s’po i jep para Ekipit të Limajt

Hashim Thaçi e ka çuar përpara idenë e tij për rrëzimin e Ramush Haradinajt. Ka thënë se Qeveria udhëhequr prej tij e ka shkelur Kushtetutën kur ka vendosur t’ua japë pronat e AKP’së komunave veriore. Ka thënë se me këtë e ka rrezikuar Sigurinë Kombëtare. Ndaj këtyre akuzave kanë heshtur zyrtarët e Qeverisë. S’ka folur as Kryeministri, shkruan Gazeta Express.

Hashim Thaçi ka vendosur ta sfidojë Ramush Haradinajn në Gjykatën Kushtetuese për një vendim të Qeverisë, i cili ua lejon Komunave Serbe të menaxhojnë me prona të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Loading...

E ka quajtur vendim antikushtetuese dha ka kërkuar që i njëjti të anulohet.

Mirëpo, askush në Qeveri s’e ka thënë asnjë fjalë. Kanë heshtur Këshilltarët e Haradinajt: Avni Arifi, Halil Matoshi, Donjeta Gashi.

Asnjë fjalë s’e kanë thënë as zyrtarët e Partisë së Kryeministrit përfshirë Blerim Kuçin, Besnik Tahiri, Ardian Gjini e Burim Ramadani.

Megjithëkëtë, sipas Presidentit, Shefi i Qeverisë me këto veprime po e rrezikon sigurinë kombëtare dhe po nis zbatimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive.

Vendimi i Qeverisë për t’ua dhënë pronat e AKP’së komunave veriore është marrë në fillim të këtij muaji. Rrjedhimisht, ato prona më nuk mund të privatizohen por do të përdoren për nevojat e komunave veriore.

Shefi i Shtetit ka thënë se me këtë vendim të Qeverisë ka nisur të themelohet Republika Srpska ku komuniteti serb ka kompetenca bllokuese dhe ekzekutive për disa fusha në shtetin boshnajk.

“Ky vrull dhe entuziazëm për të bartur pronat që ishin në pronësi të AKP-së në pronësi të komunave, realisht është një qasje që nuk do të duhej të ndodhte. Unë kam kërkuar një sqarim institucional. Nëse ato vendime mbesin në fuqi, atëherë është fillim i zbatimit të Beogradit dhe Serbisë për ‘Republika Srspksan’ në Kosovë”, ka thënë Thaçi për Periskopin.

“…tash po iu dhurohet autoriteteve të Serbisë modeli i ‘Republika Srspskas’, apo ka filluar implementimi i ASK-së me elemente ekzekutive, Kjo paraqet rrezik për vendin, rrezik për sovranitetin dhe integritetin e vendit, dhe  cenim për sovranitetin dhe pavarësi, më shumë se rrezik”, ka shtuar Thaçi në një intervistë për Periskopin.

Thaçi gjithashtu ka akuzuar Ramush Haradinajn se nuk po i jep mjete financiare Fatmir Limajt për krijimin e ekipeve negociuese për dialogun me Serbinë,

“Limaj ka pranuar me u sfidu me marrë përgjegjësi. Gjë që duhet vlerësuar. Tash Qeveria nuk duhet ta djeg atë dhe ekipin, duke bërë ndërskamca për mos me i nda mjete dhe mos me e leju me i themelu ekipet negociuese, sepse unë kam besim në potencialin e tij për të bërë punë të mira”, është shprehur i pari i vendit.

Këto akuza të ashpra të Thaçit drejt Haradinajt vijnë pas një kundërshtimi që Haradinaj ia ka bërë idesë për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve, që cilësohej si ndarje e Kosovës.

Kreu i AAK-së kishte deklaruar se një ide e tillë e Thaçit për prekje të kufijve nënkupton luftë dhe nuk duhet lejuar.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, e ka humbur shumicën pasi Lista Srpska i ka ofruar 10 votat për ta rrëzuar Haradinajn.

Pas kësaj, Presidenti Thaçi ka thënë se do të kërkojë shpjegime nëse do të mund të vazhdojë qeverisja e pakicës/GazetaExpress/