Ai ishte i pari, ai ishte prijës!

Shkruan: Aferdita Maliqi

Loading...

Isha nxënëse, kur nga ish-Jugosllavia ishte marrë një vendim për amnestimin e të gjithë të burgosurve politikë, që ishin nëpër burgje. Në mesin e tyre, ishte edhe daja im nga Llapushniku, Ismet Sopi, së bashku më shumë drenicakë. Lirimi i tyre ishte një çlirim për të gjitha ato familje, që për vite të tera ishin përballur me vuajtjet, pritjet e gjata nëpër burgje, tmerret e presionet e vazhdueshme.

Në familjen time ishte një gëzim i madh…. pas 10 viteve burgim, më në fund nëna ime e shihte vëllain të lirë. Unë isha shumë e lumtur, se më në fund, do ta shihja njërin që komunikoja aq mirë me kode (përmes letrave), dhe merrja këshillat se cilat nga librat duhet t’i lexoj…

Karvani i njerëzve që vinin për ta parë dhe uruar për lirimin e tij ishte i madhe. Ndërkaq, kur njerëzit filluan të ndalnin, ishte një organizim që ish-të burgosurit të vizitonin shokët e tyre, me të cilët kishin vuajtur dënimin, ose ishin njohur në rrethana tjera. Daja im, së bashku me disa shokë dhe bashkëfshatarë të tij, kishte vendosur të vizitonte shokët e tij, por do të fillonte nga baca Adem. Pjesë e këtij grupi, isha edhe unë, sepse isha mbesa e privilegjuar, për shkak te komunikimit të mirë të koduar që kisha bërë, sa ai ishte në burg.

Çfarë ndjenje ishte për mua, të vizitoj njeriun që e kisha pas idol, që kisha dëgjuar aq shumë për të…si sot e mbaj mend atë shtëpinë të motra e vet, ku bënte pritje baca Adem…Ne ishim shumë, por dajën tim e përqafoi dy herë, se e kishte për qejfi për shkak të qëndrimit të tij në burg.

Më pastaj, kur baca Adem vinte të dajallarët e mi, unë gjithë shkoja ta takoja, dhe isha nga të paktat femra që hyja nëpër oda… E kujtoj se njerëzit që dëgjonin që do të vijë baca Adem ngarendnin ta shihnin…t’i dëgjonin këshillat e tij.

Për mua ai ishte njeri i madh: për qëndresën heroike, sakrificën, humanizmin dhe mbi të gjitha për atë shpirt aq të madh për të mbrojtur të drejtat e secilit komunitet. Ai ishte i pari, ai ishte prijës!

P.s: Në foto baca Adem në Llapushnik, bashkë me dajën tim dhe kushëririn tim, Ejupin (diku aty kam qenë edhe unë).