AGK kërkon të largohen posterët kundër Berat Buzhalës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është i shqetësuar lidhur me fushatën ofenduese të kompanisë “Devolli Corporation”, kundër gazetarit të gazetës “Express”, Berat Buzhala.
Në komunikatën e AGK-së, thuhet se kampanja denigruese e kësaj kompanie është fyerje e rëndë për gazetarët dhe e papranueshme për një shoqëri demokratike.
AGK-ja kërkon nga kompania “Devolli Corporation”, që t’i largojë sa më parë posterët dhe t’i kërkojë falje gazetarit Buzhala.
Gjithashtu, AGK-ja u bën thirrje të gjitha palëve që t’i ndjekin rrugët ligjore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe fton gazetarët që t’i drejtohen zyrës ligjore të Asociacionit, në rast nevoje për përfaqësim ligjor.