Afrim Hysenaj, ish-pjesëtar i FSK-së, i dhuroi FSK-së monografinë për masakrën e Deliajve

Bibliotekës së FSK-së, sot iu shtua edhe një botim i ri, nga ish-pjesëtari i FSK-së, Afrim Hysenaj, monografia kushtuar masakrës së Delinjve me titull „Toka skuq e qielli nxin”.

Loading...

Në kazermën “Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore në Prishtinë, përkatësisht në Njësinë Ndërlidhëse për Reagim Ndaj Krizave, sot u organizua një ceremoni me rastin e dhurimit të librit të ri Bibliotekës së FSK-së nga krijuesi Afrim Hysenaj.

Afrim Hysenaj, ish-oficer i Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe ish-nënoficer i Forcës së Sigurisë të Kosovës,  për 20 vjet rresht ka kryer shumë detyra dhe kurse të avancuara në aspektin profesional si brenda institucioneve ashtu edhe me forcat e KFOR-it.

Gjatë viteve 2009-2016 ka përfunduar studimet universitare për Bachelor dhe Master në drejtimin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.

Afrim Hysenaj ka të botuar punimin shkencor me titull “Dukuria e divorceve në Kosovë” si dhe tani  ka botuar monografinë për masakrën e Deliajve me titull „Toka skuq e qielli nxin”.

Gjestin humanitar të Afrim Hysenajt, të dhurimit  të librave për Bibliotekën e FSK-së,  e përshëndeti edhe komandanti i NJRK-së, nënkoloneli Milaim Musliu. “Kjo ndihmë ka një rëndësie të veçantë për ne, kur dihet se krijuesi Afrim Hysenaj, ishte edhe vetë  pjesëtarë i FSK-së. Librat janë të çmuar  për  të gjithë  ne, sidomos librat e këtij lloj si monografia „Toka skuq e qielli nxin”.

„Edhe, në këto momente po e ndiej vetën si pjesë e FSK-së”, tha fillimisht Afrim Hysenaj, “pasi që kohën më të mirë e ndaja këtu me shokët-pjesëtarët e FSK-së.  Jam shumë i emocionuar, por edhe i nderuar, që pata mundësinë që librin tim, t’ia dhuroi Bibliotekës së FSK-së, kolegëve të mi, kadetëve, ushtarëve dhe studentëve, që do të kenë mundësi të pajisen me dije. Biblioteka është simbol i punës dhe dijes dhe secili nga ne, duhet ta ndihmojmë”.

Afrimi premtoi se edhe botimet e librave të tjerë së pari do t’ia dhuroi Bibliotekës së FSK-së.