Afërsia me Feronikelin po u kushton banorëve

Banorët e Çikatoves së Vjetër, thonë se e kanë të vështirë të qëndrojnë afër Feronikelit

Kjo çarje e shtëpisë thotë se iu bë nga dridhjet e herë pas hershme të tokës që po vijnë si shkak i punës së fabrikës Ferronikeli.

Loading...

Ali Krasniqi, nga fshati Çikatove e vjetër në Komunën e Drenasit, po thotë se pos dëmeve fabrika po u shkakton edhe shqetësime të mëdha.

Ai tregon, që ka raste kur edhe jeta e tyre ka qenë në rrezik.

Krasniqi shton se zyrtarë nga komuna kanë dalë për t’i evidentuar dëmet, por nuk janë kompensuar ndonjëherë.

Ai thotë se kur i përfaqesonte banorët e lagjes për këto probleme, nga fabrika i kishin afruar punë.

“Me kanë thanë a po hin veç ti në punë, ju kom thanë jo, spranoj veç unë…”

E, fqinjësia që e kanë me fabrikën, nuk po u ndihmon, sipas banorëve, vetëm dy persona nga ky fshat, janë të punësuar në këtë fabrikë.

Ata thonë se po e pësojnë edhe në aspektin shëndetësor.

“Jam kanë smut, në spital, mjeku me ka thënë a e ki afër Niklin”.

Përkundër pohimeve të banorëve, nga Komuna e Drenasit, përmes një përgjigje me shkrim, thonë se ata nuk kanë pranuar ndonjë ankesë.

“Ndërmarrja e Ferronikelit është e pajisur me licencë mjedisore dhe monitorohet nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa sa i përket të çarave, në Komunë nuk është evidentuar asnjë rast apo kërkesë nga ana e banorëve të fshatit Çikatovë e Vjetër”.

Ndryshe, përkundër interesimit ekipi i T7, nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigje nga Feronikeli nëse do i marrin parasysh apo jo ankesat e këtyre banorëve apo nëse kanë ndonjë plan për kompensim të dëmeve.