A e dini se në këtë fshat të Drenicës është varrosur Millosh Kopiliqi? (FOTO)

 

Trimi i parë drenicas që njeh historia, padyshim, është Millosh Nikollë Kopiliqi. Ishte luftëtar dhe prijës i njohur, si edhe pasanik i madh, i cili posedonte prona të shumta e tё begata në Kopiliq të Drenicës heroike, përcjellë Drenica Press.

Millosh Kopiliqi u bë hero në Betejën e Kosovës, që u zhvillua në vitin 1389 kundër ushtrisë Perandorisë Osmane, ku vrau Sulltan Muratin I, por lidhur me prejardhjen e tij ka hipoteza të ndryshme dhe si hipoteza më e besueshme është se Millosh Kopiliqi ka prejardhjen nga fshati Kopiliq i Komunës së Skenderajt, shkruan Drenica Press.

Për të përforcuar këtë hipotezë është edhe varri i Millosh Kopiliqit, ku sipas studimeve arkeologjike thuhet se varri i Millosh Kopiliqit gjendet në fshatin Rezallë të Skenderajt që është fshat fqinj me fshatin Kopiliq.

Sipas studiuesit Haxhi Mehmetaj në librin e tij “Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Skenderajt” thuhet se varri i heroit të Betejës së Kosovës gjendet pikërisht në fshatin Rezallë, ku përmasat e këtij varri arrijnë forma gjigande afër 3 metra, shkruan Drenica Press.

Edhe banorët e fshatit Rezallë varrin afër lisit të vjetër të varreve të moçme e njohin si varri i Millosh Kopiliqit./DRENICA PRESS/