Partia e re ishte paralajmëruar se do të formohej në bastionin kryesor të PDK-së, Skënderaj.

Iniciator i kësaj nisme ishte raportuar të jetë pikërisht kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, shkruan lajmi.net.

Ndonëse kanë kaluar pesë muaj që prej se Jashari e kishte paralajmëruar formimin e partisë së re, kjo çështje është vënë në heshtje.

Madje, partisë së Jasharit ishte raportuar se do t’i bashkoheshin shumë figura të PDK-së në Drenicë, përfshirë nënkryetarin e komunës, Nuredin Lushtaku.

Pikërisht për këtë çështje, për lajmi.net ka folur me nënkryetarin e Skenderajt, Nuredin Lushtaku, i cili tha se nuk ka informacione për një gjë të tillë.

Ai la të kuptohet se nuk është në plan formimi i një partie të re.

“Nuk ka diçka të re në këtë aspekt. Nuk është diçka në plan për këtë çështje, posa të ketë ne do të iu informojmë”, ka thënë shkurt Lushtaku për lajmi.net.

Mirëpo, ishte vetë Lushtaku i cili në një prononcim aso kohe për lajmi.net, kishte thënë se në rast se Jashari formon parti të re, ai do t’i bashkohej.

E lajmi.net mëson nga burimet e veta se Jashari nuk e ka në plan të formojë parti të re.

Megjithëse arsyet nuk dihen, Jashari siç duket ka hequr dorë nga ideja që vetë e kishte shfaqur në opinion.

Lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga vetë Bekim Jashari, mirëpo ky i fundit nuk është përgjigjur.

Jashari erdhi në krye të komunës së Skenderajt në fund të vitit 2017. Përballë në procesin zgjedhor ai nuk e kishte PDK-në, rivalin kryesor për qeverisje në këtë komunë.

Megjithatë, kësaj here pritet që edhe PDK-ja të ketë kandidat për të parin e Skenderajt.

Para disa ditësh në krye të degës së PDK-së atje u zgjodh Sami Lushtaku, ish-kryetar i komunës. Ai kishte udhëhequr për disa mandate këtë komunë, teksa pritet që të rikandidojë edhe një herë për kryetar. /Lajmi.net/