Liburn Aliu do të vazhdojë të jetë kandidatë për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, përkundër që ndaj tij është ngritur aktakuzë, raporton Gazeta Sinjali.

Arlind Manxhuka, zyrtar për media nga Vetëvendosje, i ka thënë Gazetës Sinjali, se Aliu nuk do të largohet nga kandidimi për deputet, pasi që sipas tij është aktakuzë politike dhe nuk ka të bëjë me korrupsion.

“Jo sepse kjo aktakuzë është politike ashtu siç ka qenë edhe veprimi i Liburnit,  një gjest protestues. Këtu s’bëhet fjalë për çështje korrupsioni apo keqpërdorimi, apo përfitimi të paligjshëm”, ka deklaruar Manxhuka.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritura aktakuzë ndaj ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu.  Ai është duke u akuzuar për shkak se siç pretendohet në sallën e Kuvendit të Kosovës më 21 mars të vitit të kaluar kishte marrë nga tavolinat e deputetëve 40 kartela që nevojiten për votim.

Sipas aktakuzës, thuhet se më 21 mars 2018, rreth orës 13:44, në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Liburn Aliu akuzohet se si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës i ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

No tags for this post.