Bërja me pagesë e autostradës Tiranë-Durrës është projekt korruptiv, me fitues të paracaktuar nga qeveria në ikje. Në qeverisjen e Partisë Demokratike autostrada Tiranë – Durrës do të mbetet një rrugë kalimi pa pagesë.

Në vend që të paguajë 178 milionë euro për 3 inceneratorë, buxheti i shtetit mund zgjerojë rrugën pa pagesë.

DEKLARATË, ENDRI HASA
Pak ditë më parë Partia Demokratike paralajmëroi shqiptarët se qeveria në ikje e Edi Ramës ka nisur të zbatojë projektin urgjent të grabitjeve të reja të shqiptarëve me moton “të kapim ç’të kapim”. Një nga këto grabitje është dhënia me koncesion e autostradës Tiranë – Durrës, për kalimin në të cilën shqiptarët nga veriu në jug do të paguajnë nga 2.5 – 5 euro.

Në krye të grabitjes së madhe të qytetarëve, Edi Rama ka vendosur kampionen e abuzimeve, Belinda Balluku. Ministrja e Transporteve i mashtroi sot shqiptarët, kur tha se nuk kishte ardhur koha e detajeve për pagesën.

Fituesi për dhënien me koncesionin të autostradës Tiranë – Durrës dhe bërjen e saj me pagëse është i paracaktuar nga qeveria e Edi Ramës, njësoj si vendimi korruptiv për autostradën Durrës – Kukës. 6 muaj më parë Ministria e Transporteve pranoi publikisht se bërja e rrugës me pagesë është popozim i një kompanie indiane, prapa së cilës qëndron ndërtuesi i stadiumit kombëtar, i përzgjedhur pa garë nga Edi Rama.

Për Austostradën Tiranë – Durrës qeveria ka shpenzuar 3 vitet e fundit të paktën 4 milionë euro për veshjen me palma, për ndërrimin e tyre me pisha, për arnimin e gropave dhe për projektimin e zgjerimit. Këto para po hidhen në kosh, sepse Edi Rama dhe Belinda Balluku kërkojnë të grabisin me qindra milione euro nga paratë e shqiptarëve.

Partia Demokratike u bën thirrje kompanive të mos marrin pjesë në këtë aferë që vjedh shqiptarët, sepse me ardhjen tonë në drejtimin e vendit ky koncesion korruptiv do të anullohet. Askush nuk mund të zhvasë më qytetarët, me qëllimin që të pasurohet për vete.

Në qeverisjen e Partisë Demokratike autostrada Tiranë – Durrës do të mbetet një rrugë kalimi pa pagesë. Modernizimi i saj është plotësisht i mundur me paratë e buxhetit të shtetit. Sipas vetë projektit të qeverisë, zgjerimi i autostradës kushton rreth 250 milionë euro, ndërkohë që, aktualisht, qeveria e Edi Ramës ka zgjedhur që të paguajë 3 inceneratorë me 178 milionë euro, ndërsa shqiptarëve kërkon t’ua bëjë rrugën me pagesë.

Kjo është një arsye më shumë pse shqiptarët duhet t’i bashkohen kauzës për largimin e Edi Ramës dhe hapjen e mundësisë për zgjedhje të lira e të ndershme. Vetëm një qeveri e dalë nga vota e lirë, nuk do të mendojë për pasurimin e kryeministrit dhe klientëve të tij, por për mirëqenien e qytetarëve të vet.