Haki Rugova flet pas kanosjes me armë në zyrën e tij

Haki Rugova, kryetar i Istogut, dje është kanosur nga një person i cili në gjendje të dehur kishte shkuar te zyra e tij dhe kishte kërkuar të futej brenda.

Ai e ka shpjeguar se si ka ndodhur ngjarja, ndërkohë ka thënë se nuk ka pasur ndonjë konflikt në mes tij dhe personit i cila ka tentuar të hyjë në zyrën e tij.

Loading...

“Nuk ka pasur asnjë konflikt mes nesh, personi i caktuar ka hyrë në zyre timen të kryetarit të komunës me armë në dorë. Ai nuk ka kërkuar kurrgjë, ka qenë në gjendje jo stabile dhe ka ardhë me armë në dorë. Kur vjen një person me armë në dorë, çka kërkon? Kurrgjë tjetër pos me pas probleme, është mirë që ka përfunduar ajo qysh ka përfunduar, kjo është e gjitha”, ka thënë Rugova.

Ai shtoi se me personin e dyshuar nuk është takuar asnjëherë.

“Nuk e njoh personin e dyshuar, nuk kam pasur asnjëherë kontakt me të. Duhet të trajtohet ky rast pasi që ka ndodh në zyrat e kryetarit. Jam i lumtur që nuk ka ndodh kurrgjë ma shumë. Zyret i kam të hapura gjatë gjithë kohës, komuna është e qytetarëve, por njerëzit e armatosur që vijnë dhe sulmojnë personelin është e patolerueshme”, shtoi ai për Kallxo.com.

Rugova kërkoi nga organet e sigurisë që të merren seriozisht me rastin e kanosjes.
“Organet e policisë duhet me u marrë seriozisht me këtë punë që unë mos të kërkoj mbrojtje”, ka theksuar Rugova.

Nga i dyshuari është konfiskuar arma-revole e llojit “Si Sauer”, me një karikator, 9 fishekë kalibrit 9 mm, si dhe në vendin e ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja.