Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se 220 persona kanë humbur jetën nga përleshjet në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, ndërsa mbi një mijë të tjerë janë plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).

Misioni i OBSH-së në Libi tha në median sociale se që nga 4 prilli, kur gjenerali Khalifa Haftar dha urdhrin për një operacion ushtarak në Tripoli i cili filloi një ditë më pas, 220 persona kanë humbur jetën, kurse 1.066 janë plagosur.

Organizata gjithashtu kishte bëri të ditur se mbi 18.000 njerëz janë zhvendosur si pasojë e luftimeve.

Ndryshe, më 4 prill, Khalifa Haftar, komandant ushtarak në Libinë lindore, nisi ofensivën ushtarake për të kapur kryeqytetin Tripoli, ku gjendet selia e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të mbështetur nga OKB.

Operacioni filloi para “konferencës së dialogut kombëtar” që do të mbahej në Libi nën mbikëqyrjen e OKB-së më 14-16 prill.

Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO-ja çoi në rrëzimin dhe vdekjen e presidentit Muamar Gadafi pas katër dekadash në pushtet.

Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në qytetin lindor të Al-Bayda, me të cilën Haftar është i lidhur, dhe qeveria e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli.