Rreth një mijë e zyrtarë të lartë publik do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Kontrollit të pasurisë do t’i nënshtrohen zëvendëskryeministra, ministra, deputetë, nënkryetari i Kuvendit, kryetar komunash, gjyqtarë, prokuror, ambasadorë dhe zonja e parë e shtetit Lumnije Thaçi.

Agjencia Kundër Korrupsionit, në prezencë të mediave dhe shoqërisë  civile, ka tërhequr  shortin për zyrtarët e lartë publik që do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të  pasurisë.

Sipas shortit, nga 4862 deklarues, formularët e 974  zyrtarëve do t’i nënshtrohen  kontrollit të plotë të pasurisë nga ana e Agjencisë.

Ndër ta janë: Xhavit Haliti nënkryetar i Kuvendit, Dardan Gashi zëvëndëskryeministër dhe ministri  i Diasporës, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala, deputeti i AAK-së Rasim Selmanj, deputeti i PSD-së Faton Topalli, deputetja e VV-së Fitore Pacolli, ai i LDK-së  Armend Zemaj, deputeti  Ali Lajçi,  deputeti Lutfi Zharku,  Lirije Kajtazi, minsitri i Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa, Shkumbin Demalijaj, ministri i Administratës Publike  Mahir Yagcliar, kryetari i komunës së Malishevës Ragip Begaj, deputetët Sala Berisha Shala, Fidan Rekaliu, kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuska, deputetët Nait Hasani dhe Blerta Deliu Kodra, drejtori i RTK-së Ngadhnjim Kastrati, deputeti  Korab Sejdiu, ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha, deputetët  Flora Brovina dhe Labinot Tahiri, prokurorja Laura Pula, deputetët e VV-së Xhelal Sveçla ,Liburn Aliu dhe  Saranda Bogujevci, ambasadori  Beqë Cufaj, deputetja Donika Kadaj Bujupi dhe prodekanja e Universitetit të Mitrovicës Lumnije Thaçi (gruaja e presidentit Hashim Thaci)

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli,  tha se 4 mijë e 819 zyrtarë kanë qenë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, 4 mijë e 755 e kanë deklaruar pasurinë, 35 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë pas afatit, 16 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë me arsyetim dhe 13 zyrtarë nuk kanë deklaruar pasurinë fare, ku ndaj tyre do të merren masa konform ligjit.

Havolli shtoi se Agjencia ka të drejtë t’i kontrollojë  edhe formularët e tjerë të zyrtarëve të lartë që janë jashtë listës së shortit.

“Kjo është lista që janë përzgjedhur [për kontroll të plotë, por nuk do të thotë që vetëm këta zyrtarë që janë hedhur me short do të bëhet kontrolli i plotë, në rast se ka ndonjë rast ose element edhe për zyrtarë të tjerë që s’janë pjesë e listës. Agjencia sipas detyrës zyrtare ka të drejtë t’i kontrolloj edhe zyrtarë të lartë që janë jashtë listës së shortit”, deklaroi Havolli.

Ndërsa, Afrim Atashi nga Agjencia Kundër Korrupsion theksoi se 974 zyrtarë publik do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë ashtu siç është e paraparë edhe me legjislacionin në fuqi

“Kjo është lista  shortit, këta zyrtarë publik do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë ashtu siç është e paraparë edhe me legjislacionin në fuqi. Këta zyrtarë publik i nënshtrohen kontrollit të plotë që ka të bëjë me vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave të deklaruara si dhe i nënshtrohen deklaratave ndër vite që i kanë deklaruar ën Agjencinë Kundër Korrupsionit. Pastaj, varësisht nga gjetjet, Agjencia konform kompetencave të saj merr edhe masa ligjore”, tha Atashi. /Insajderi.com

No tags for this post.