​Veseli: Ka shumë punë për të bërë për amanetin e heronjve

Gjaku i dëshmorëve na jep mesazhin se si duhet të ruajmë e kultivojmë frytet e luftës dhe sakrificës së mijëra të rënëve për lirinë e Kosovës.

Kështu u tha në një akademi përkujtimore, në 20-vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve të kombit Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Imeri, organizuar nën përkujdesjen e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Loading...

Kryeministri Haradinaj tha se edhe pas 20 vjet pas rënies së tyre heroike, kujtimi për dëshmorët është ende i freskët, duke shtuar se Toni e Mici ishin ndër luftëtarët më të zot.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se nëse shikohet se çfarë është bërë që dy dekada, vërehet se është punuar mjaft, mirëpo nëse merret për bazë amaneti i heronjve, ka shumë punë për të bërë.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se heronjtë janë dëshmia më e mirë se kjo komunë ishte qëndresë ndaj sulmeve të pushtuesit.

Në emër të familjarëve të dëshmorëve, në këtë akademi përkujtimore ka folur edhe djali i heroit Selajdinit, Ermal Mullabazi.

Ndryshe, Xhelal Hajda dhe Selajdin Mullabazi ranë heroikisht më 6 nëntor 1998, gjatë betejës me forcat okupatore serbe në Opterushë të Rahovecit.