Lojtarët e ekipit serb të Crvena Zvezdas u sulmuan sot pasdite në Split të Kroacisë, përderisa ishin ulur në një kafe me fanellat e klubit të tyre. Këtyre sportistëve u dolën në ndihmë disa turistë spanjollë, të cilët ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes.

Disa të rinj kroatë shkuan drejt sportistëve dhe filluan t’i sulmonin. Tre lojtarë nga skuadra e klubit serb u arratisën, njëri prej tyre duke u gjuajtur në det, transmeton Gazeta Express.

Mediat serbe raportojnë se lojtari i cili u gjuajt në deti ishte portieri Aleksander Krajl dhe ai doli nga uji vetëm në atë moment kur erdhi policia. Disa qytetarë spanjollë i ndihmuan Krajlit të dalë nga deti, shkruan e përditshmja kroate, index.hr.

Tani është zbuluar se ata ishin sulmuar pasi që iu ishte kërkuar që t’i largonin simbolet e klubit serb nga veshjet e tyre, gjë të cilën ata nuk kishin pranuar ta bëjnë.

Në vend që të largonin ato simbole, sportistët serbë kishin kërkuar që të largoheshin nga ajo kafene. Personat që e shkaktuan incidentin nuk i lejuan ta bëjnë këtë gjë dhe filluan t’i sulmojnë.

Këta janë lojtarët e Crvena Zvezdas të cilët pritej të ndesheshin sot kundër Mornarit të Kroacisë, në sportin “water polo”, mirëpo ata u kthyen në Beograd menjëherë pas këtij incidenti.

Në orën 13:40, policia kroate u njoftua për këtë sulm dhe tani ata janë duke i kërkuar pesë kroatët të cilët e shkaktuan këtë incident. Njëri prej tyre mbeti i lënduar dhe atij i ishte ofruar ndihmë mjekësore, të cilën nuk e pranoi.

Autoritet përgjegjëse në Kroaci kanë bërë të ditur se personat që e kishin shkaktuar këtë incident ishin të armatosur me thika dhe shkopinj të ndryshëm druri. /Gazeta Express/