Zbulim i ri arkeologjik

Arkeologët çekë kane zbuluar varrin e një mbretëreshe të hershme, e cila besohet të ketë qenë gruaja e Faraonit Neferefre, që drejtoi Egjiptin 4500 vjet më parë. Varri u zbulua në Abu Sir, në varrezën e një mbretërie të vjetër në jugperëndim të Kajros, ku ndodhen disa piramida dedikuar faraonëve të Dinastisë së Pestë, përfshirë edhe Neferefre. Sipas deklaratës së ministrit të antikiteteve, Mamdouh al-Damaty, emri i gruas së faraonit ka qenë i panjohur para këtij zbulimi. Ai e identifikoi atë si Khentakawess, duke thënë se kjo është hera e parë që zbulohet emri i kësaj mbretëreshe të panjohur më parë. “Kjo e bën atë Khentakawess III, pasi më parë ka patur edhe dy mbretëresha të identifikuara me të njëjtin emër. Emri dhe grada e saj ishin gdhendur në muret e brendshme të varrit, mbase nga ndërtuesit e tij”,- tha Damaty. “Ky zbulim do të na ndihmojë të hedhim dritë mbi aspektet e panjohura të Dinastisë së Pestë, e cila bashkë me të katërtën kanë qenë dëshmitarë të ndërtimit të piramidave”- shtoi ai./drenicapress/