Zakoni i përditshëm që i bën mirë trurit

Memoria, përqendrimi dhe koordinimi, por edhe humori dhe niveli energjetik bëjnë të mundur që trupi të ndihet mirë dhe shëndeti i njerëzve të jetë në harmoni. Sipas një kërkimi të realizuar në Universitetin Saarland në Gjermani, një sy gjumë prej 45 minutash mjafton për të përmirësuar memorien dhe mënyrën e funksionimit të trurit.

Ekipi kërkues ka marrë një kampion vullnetarësh, të cilët i ka ndarë në dy grupe dhe u ka kërkuar të mësojnë përmendësh 90 terma dhe 120 çifte fjalësh pa një lidhje logjike mes tyre (për shembull: qumësht/taksi). Një prej grupeve, më pas ka parë një DVD, ndërsa tjetri ka pushuar për 45 minuta.

Rezultati? Kur janë zgjuar, pas gjumit, grupi që kishte fjetur rezultoi se mbante më shumë mend terma se sa grupi tjetër që kishte qëndruar zgjuar.

Sipas studiuesve, me në krye Alex Mecklinger, gjumi është një faktor i rëndësishëm në funksionimin e trurit dhe në veçanti, të memories, e cila vijon të punojë edhe gjatë gjendjes së pandërgjegjshme.

“Një dremitje e shkurtër në zyrë apo në shkollë mund të përmirësojë në mënyrë të dukshme performancën e individëve, duke ndikuar njëkohësisht në suksesin e tyre. duhet ti marrim me të vërtetë në konsideratë efektet pozitive të gjumit dhe ndikimin e tij jo vetëm në organizëm, por edhe në tru”, thuhet në studim.