Ymeri: Liste serbe përpos që përfaqëson Beogradin, deformoi edhe vullnetin e serbëve në Kosovë

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka theksuar se në zgjedhjet e 11 qershorit, vullneti i votuesve serbë të Kosovës është deformuar përmes presionit nga strukturat e Serbisë dhe Listës Serbe.

Ymeri ka theksuar sipas tij të gjitha deformimet që janë bërë përgjatë procesit të fushatës dhe ditës së mbajtjes së zgjedhjeve, transmeton Indeksonline.

Ymeri ka shtuar se Lista Serbe jo vetëm që përfaqëson Beogradin në Kosovë dhe jo serbët e Kosovës por ajo edhe e ka deformuar vullnetin e qytetarëve serbe të vendit.

Ky është postimi i plotë: 

Në zgjedhjet e 11 qershorit, vullneti i votuesve serbë të Republikës së Kosovës është deformuar përmes presionit nga strukturat e Serbisë dhe Lista Serbe. Fillimisht kjo është bërë mbi partitë tjera lokale serbe, duke detyruar që të tërhiqen nga gara, siç ishte rasti me një parti, e cila ka tërhequr listën e kandidatëve nga zgjedhjet pas presionit nga Beogradi. Ndërkaq, Partia Liberale e drejtuar nga Sllobodan Petroviq nuk kishte bërë fare fushatë parazgjedhore, si pasojë e kërcënimit të hapur nga Lista Serbe mbi mbështetësit e tij se do të largohen nga puna.

Edhe gjatë heshtjes zgjedhore, madje edhe në ditën e zgjedhjeve, nëpër programet e ndryshme të kanaleve televizive të Serbisë që ndiqen masivisht nga serbët në Kosovë, janë ftuar hapur serbët që të votojnë për Listën Serbe.

Më tej, përmes komisionerëve e zyrtarëve zgjedhorë në komunat veriore, praktikisht vetëm Lista Serbe ka pasur anëtarët e saj në komisione, duke bërë kështu që të ketë kontroll të plotë në vendvotime dhe të organizojë dhe zbatojë skemën e votimit vetëm për Listën Serbe, pa u vërejtur dhe pa u denoncuar.

Kontrolli mbi votuesit është shtrirë nga sjellja kundërligjshëm e 4.000 aplikacioneve për t’u regjistruar si votues, ardhja e dhjetëra autobusëve nga Serbia për të votuar për Listën Serbe, presioni mbi votuesit e kontrolli i tyre deri në atë masë sa një mjek nga Shtërpca kishte lëshuar mbi 150 diagnoza të falsifikuara, si kusht për të votuar nga shtëpia, e tërë kjo si mënyrë e kontrollimit të votuesve.

Lista Serbe jo vetëm që përfaqëson Beogradin në Kosovë dhe jo serbët e Kosovës, por ajo edhe e ka deformuar vullnetin e qytetarëve serbë të vendit tonë.

 
Loading...