‘Xhokeri’ i PAN-it

Bindja e Behgjet Pacollit për t’u larguar nga koalicioni me LDK-në dhe Alternativën është “xhokeri” i fundit që koalicioni PAN t’i formojë institucionet, pasi që “kontrabandimi” individual i deputetëve u dështoi. Në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, shkruan sot, gazeta Zeri.

Koalicioni PAN nuk ka asnjë kartë tjetër në duar për t’i formuar institucionet, përveç me AKR-në e Behgjet Pacollit, i cili ditë më parë dha sinjal se mund të largohet nga koalicioni LAA nëse këta të fundit nuk merren vesh me lëvizjen “Vetëvendosje” për formimin e Qeverisë.

Kjo për faktin se përpjekja e PAN-it për të “kontrabanduar” deputetë individualisht u dështoi, shkruan gazeta Zeri.

Në LDK deklaratat e Pacollit nuk i shohin si kërcënim për largim nga koalicioni, por, siç thonë ata, vetëm ide për zgjidhje sa më të shpejtë të kësaj situate politike. Ndërsa në lëvizjen “Vetëvendosje” shpresojnë që të vazhdojë akoma një bashkëpunim siç e kishin deri më tani.
Në anën tjetër, analistët politikë vlerësojnë se kreu i AKR-së u ka dhënë sinjal

koalicionit LAA dhe “Vetëvendosjes” se partia e tij do t’i bashkohet koalicionit PAN në mënyrë që ky i fundit të arrijë ta zgjedhë kryeparlamentarin dhe ta formojë Qeverinë.