Xhavit Jashari nga Rezalla: Të mos votohet Gjykata Speciale

​Institucione të vendit, organizata të dala nga lufta, ish-luftëtarë të UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve, kanë bërë homazhe sot pranë 28 mbetjeve mortore të viktimave që u rivarrosën në fshatin Rezallë të Skenderajt.
Ata u vranë 16 vite më parë ku për gjatë gjithë kësaj kohe ata qenë të zhdukur, për t’u gjetur pastaj vitin e kaluar në Rudnicë të Rashkës.
Të dielën, në 16 vjetorin e vrasjes së tyre, homazhe bëri edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Pranë familjarëve u pa të bëjë homazhe edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.
Masakra e Rezallës u kujtua si shembull i gjenocidit serb.
Ata që u vranë ditën e 5 prillit të vitit ‘99 u përkujtuan si heronj që dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë sot.
Në emër të Familjës Jashari, Rifat Jashari iu shprehu ngushëllime familjarëve që pas 16 vitesh gjetën më të dashurit e tyre.
E kryetari i OVL UÇK, Xhavit Jashari tha se institucionet e vendit duhet të jenë më të kujdesshme kur bëhet fjalë për luftën dhe sakrificën e të rënëve.
Madje, ai përmendi edhe Gjykatën Speciale, ku tha se nuk kanë nevojë institucionet të votojnë një gjykatë të tillë.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj tha se për të arritur deri tek gjetja e tyre ka pas nevojë për një punë të madhe ekipore.
Në fshatin Rezallë të Skenderajt, 16 vite më parë, me 5 prill të 99-ës, u vranë 38 persona. Fillimisht paramilitarët serb mblodhën gjithë banorët që gjetën, në oborrin e Hashim Dërgutit me qëllim që t’i pushkatojnë të gjithë.