Vuçiq bëhet nervoz nga deklaratat e Ramës

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiq pas deklaratave të Kryeministrit shqiptar, Edi Ramës se Bashkimi Kombëtar mes dy shteteve shqiptare mund të realizohet përmes dy alternativave.

“I premtoj Kryeministrit Rama se bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të ndodhë asnjëherë, siç ai ka thënë, në formë klasike. Lus liderët shqiptarë që të mos provokojnë jostabilitet në rajon”, ka shkruar Vuçiq në Twitter.

Gjatë intervistës së djeshme të përbashkët të dy liderëve shqiptar në Klan Kosova, në “Zona B” me Baton Haxhiun, ku Rama kishtë dhënë dy alternativa që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen, aplikimi ose mosaplikimi i të cilave, sipas tij, varen nga Unioni Evropian, opinioni dhe Kryeministri serb janë ndier të kërcënuar duke reaguar në mënyra të ndryshme.

Sipas Edi Ramës, Kryeministër i Shqipërisë, alternativa e parë për bashkim e dy shteteve shqiptare mund të ndodhë brenda BE-së, pas antarësimit të dy vendeve në gjirin evropian, por nëse BE vazhdon të mbajë dyert e mbyllura për Kosovën, atëherë dy vendet shqiptare do të jenë të detyruara të bashkohen në formë klasike, transmeton Indeksonline.

Hashim Thaçi, Ministër i Punëve të Jashtme ka shpjeguar se deklaratat e Ramës nuk duhet të mirren si kërcënime ndaj askujt, por sipas tij, një realitet i mundur i bashkimit të dy vendeve mund të jetë si rezultat i izolimit të Kosovës nga BE-ja. /Indeksonline/