Vrasje në tentativë në Mitrovicë

 

Një vepër penale me elemente të ‘vrasjes në tentativë’ është raportuar të ketë ndodhur në pasditen e djeshme të datës 2 prill 2015 rreth orës 18:00 në rrugën “Ulqini” në Mitrovicë.
Sipas zëdhënsit të Policisë së Kosvës në Mitrovicë, Avni Zahiti, njësitë policore në nivel të stacionit dhe Njësia e Hetimeve rajonale i janë përgjigjur rastit, ku menjëherë kanë proceduar me vendin e ngjarjes, ku sipas dëshmitarëve ishte bërë e ditur se kishte pasur një rrahje në mes të disa personave, ku më pas dy nga ta ishin dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal në Mitrovicë, si pasojë e lëndimeve të marra nga mjeti (thikë), dy të lënduarit viktimat F. R. 48 vjeçar dhe A. R. 18 vjeçar pas tretmanit fillestar në spitalin e Mitrovicës janë dërguar për në QKUK, ku gjendja e tyre shëndetësore raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetë.
Hetimet e para policore nën autorizimin e prokurorit të nisura nga vendi i ngjarjes ka bërë të mundshëm identifikimin e vendndodhjes dhe arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në rast: L. K. 35 vjeçar dhe G. H. 31 vjeçar, shqiptar banorë të Mitrovicës, shtetas të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu është gjetur dhe sekuestruar thika e cila dyshohet të jetë përdorur në rast, si dhe një shufër metali, të gjitha këto do të procedohen si prova materiale.
Bazuar në deklaratat fillestare të të intervistuarve, si: të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve incidentit kriminal dyshohet t’i ketë paraprirë një zënkë e çastit që fillimisht kishte filluar me fjalosje në mes të dyshuarve dhe viktimave, që më pas ka rezultuar me përdorim të thikës nga ana e të dyshuarve.
Pas procedurave intervistuese me urdhër të prokurorit ndaj të dyshuarit L. G. është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar për procedurë të rregullt.