Vlerësohet romani i ri i Rezart Palluqit

Këto ditë doli romani i Rezart Palluqit, ‘Njëqind e nëntëdhjetë e tre kafazet”, i cilësuar si tejet i veçantë për nga rrëfimi ashtu edhe për nga kërkimi psikonarrativ.
Romani në fjalë, është vlerësuar lart nga kritika e specializuar dhe nga lexuesit e zakonshëm, si një vepër që trajton ndryshe temën e (post)diktaturës, prej perspektives së emigrantit kërkues dhe observues të dosjeve dhe vrasjeve të bëra në kohën e diktaturës.
Ai përfill parimin e ajsbergut; nis me diçka të vogël, pastaj të rrëmben me insinuata të mëdha të palexuara deri më sot në një tip romani si ky, me elemente të romanit dedektiv, të trilerit të gërshetuar bukur në rrëfimin e romanit klasik.
Pavarësiht pse ky roman ka si ndërtekst dëshminë, dokumentaritetin, sidoqoftë ai është një roman referencial që dëshminë e kthen në autodëshmi të personazhit narrator.

  Sipas studiueses Qibrije Demiri, romani i Rezart Palluqit, është një befasi artistike në letërsinë shqipe, para se gjithash për prozën e saj romaneske. Diktatura si subjekt, jo që trajtohet për herë të parë në letërsinë tonë, por qasja ndaj saj dhe koncepti i tij demokratik për jetën dhe shoqërinë, krahas frymëzimit të emancipuar, e bën këtë vepër të fortë artistikisht, ashtu si ishte vet diktatura, mizorisht.

Autori duke i njohur ultra mekanizmat e saj dhe jo vetëm duke dashur të bëj një akt intelektual, por përmes një frymëzimi dhe realizmi artistik, bën një monument detajor të diktaturës, një muze virtual të dhunës shpirtërore dhe formave të tjera saj. Makrotema e këtij romani është raporti i individit me atdheun, me atdheun komunist, raport që si një rrjet ngulfat gjithë aortat e jetës, për të reflektuar edhe disa mikrotema, që para se gjithash janë universale, por ndikojnë në botën e personazheve. Disa pjesë të romanit, sado që duken triviale, të dëgjuara e të para, megjithatë në romanin e R.Palluqi marrin një semantikë të re dhe arrijnë të identifikohen mirë me fytyrën e diktaturës.
  Në këtë hulli, kritiku Qazim Shehu, në mes tjerash vlerëson se, Rezarti shkruan me një stil dinamik dhe materien rrëfimore e mbush me jetë, përshkruan mirë ambientet, skalit personazhet dhe sjell një informacion të këndshëm rrëfimor për ta. Si një prozator që e ka stërvitur dorën edhe në romane të mëparshme, të cilat i kam lexuar,vura re se në këtë roman ai ka një ngjitje tjetër drejt nivelit të fjalës e cila nuk ka të sosur. Shkurt, është një roman që nuk të ikën nga dora… Si një autor me eksperiencë, me një pasuri vëzhgimesh dhe si njohës i strukturës së romanit, Rezarti do të na sjellë shpalosjen e një bote njerëzore në diktaturë dhe pasdiktaturë, duke i vendosur ngjarjet në Shqipëri e Holandë për të treguar se filli njerëzor shpaloset në hapësira të gjëra, por edhe për t`u dhënë atyre gjerësi.”

Po , sipas Shehut “autori operon me simbolet, herë duke i ngritur ato në lartësinë e tyre të vërtetë e herë duke i zhvlerësuar. Ai nuk është kundër tyre, përkundrazi ,por është kundër simboleve dhe miteve të rremë që mbart shoqëria e intoksikuar shqiptare,e cila nganjëherë u beson idhujve të rremë,apo njerëzve të cilët petkun e krimit ia veshin kohës së shkuar dhe vetë lajnë duart si Ponc Pilati. Fraza e kulturuar e mbresëlënëse është një tjetër cilësi e aspektit rrëfimor të autorit, ashtu si dhe informimet që ai bën për ambientet të cilat flasin për një prozator që di çka të kumtojë, konstaton Shehu.

Ndërsa, studiuesi Nehas Sopaj, këtë roman e cilëson si një vepër me një rrëfim tërheqës që sjell një natyrë interesante të perceptimit të botës. Boshti narrativ sillet rreth kryeprotogonistit Yllit, që është një emigrant shqiptar rreth të cilit, në formë thriller-i, zbrazet tërë etosi e tij fabuloz e që ka të bëjë me një dashuri fatale.
“Duke lexuar romanin Njëqind e nëntëdhjetë e tre kafazet e Rezart Palluqit, përthithesh nëpër faqet e tij nga një stil i paparashikueshëm , ku herë dominon batuta dhe humori, herë dhimbja dhe zhvillimi i ndryshëm nga ai që pret”, shprehet një nga lexueset e këtij romani, Eli Kanina.
Romani ‘Njëqind e nëntëdhjetë e tre kafazet’ është romani i tretë i tij në gjuhën shqipe dhe e botoi “Dudaj”, Tiranë, 2015.