Vijnë nga Italia videot ku shefat e policisë shqiptare ngarkojnë skafet me drogë

Dje prokuroria, që përfaqësohej nga kreu i Krimeve të Rënda dhe dy prokurorë të kësaj prokurorie, kanë kërkuar që një pjesë e mbledhjes së Këshillit të Mandateve të bëhej me dyer të mbyllura.

Sipas të dhënave që vijnë nga grupi hetimor, që përbëhet nga disa prokurorë të tjerë veç atyre që ishin ditën e djeshme aty, tregojnë se grupi i prokurorëve nuk ka preferuar që të japë të dhëna konfidenciale që mbart dosja voluminoze e grupit të Habilajve dhe të një morie efektivësh, drejtorësh, nëndrejtorësh dhe një sërë shefash komisariatesh që gjenden në atë dosje.

Referuar të njëjtave burime saktësohet se bëhet fjalë për një material “top sekret”, që gjendet në duart e prokurorëve të çështjes, dhe që përveç përgjimit audio ato, pra autoritetet italiane, kanë edhe përgjime video, në të cilat shihen qartë deri drejtues strukturash policore teksa marrin pjesë në ngarkesa që do të niseshin për në Itali.

Burimet nuk tregojnë se cili ka qenë shkaku që prokurorët, Besim Hajdarmata, Elisabeta Imeri dhe Gentian Osmani, ditën e djeshme nuk lexuan pjesë nga materiali që kishin me vete, por bëhet me dije se gjithçka u bë për të mos lejuar daljen e një morie provash konkretet që lidhen me implikimin e Tahirit në trafikun ndërkombëtar të drogës. Burimet tregojnë se materiali hetimor që gjendet në duart e prokurorëve ka emra dhe fakte, ka foto e video, ka biseda me sms e telefonata, e mbi të gjitha individë të identifikuar në shumë prej filmimeve.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura Besim Hajdarmata ka thënë vetëm se bëhet fjalë për filmime dhe ne ende nuk e dimë saktë se kush janë personat e filmuar, por dimë që drejtësia italiane është treguar e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë materialin!

Dosja “sekrete”

Një burim nga grupi hetimor i tha “Shekullit” se në dosjen që ka mbyllur tashmë prokuroria e Katanias dhe është e vënë në dispozicionin e Prokurorisë së Përgjithshme bëhet fjalë për një ‘ditar’ përgjimi të habitshëm nga ana e tyre. Është gjithçka e dokumentuar me minuta, orë, ditë, data dhe veprimesh konkrete. Burimi saktëson se: “Psh, në një prej fashikujve të hetimi, është një drejtues i një strukture policore në Vlorë që është fiksuar me kamera duke ndihmuar punëtorët të mbushnin skafin me drogë. Hetimi shkon deri atje sa gjendet edhe vendi ku ka punuar më parë ky person, lidhje e kujt politikani ishte dhe kush e kishte sjellë në Vlorë dhe konkretisht në atë pozicion”. Po ashtu sipas të dhënave mësohet se në dosje gjenden emra oficerësh të lartë policie të cilët shërbejnë në emër të një drejtori apo edhe të vetin.

Mekanizmi është krejtësisht i njohur! Në një ngarkesë të caktuar që lëvizej në drejtim të Italisë, x drejtor drejtorie apo shef komisariatit kërkonte një përqindje të caktuar, ose një ngarkesë të caktuar. Në lidhje me qytetet bregdetare, mësohet se thuajse të gjithë zyrtarët që kanë shërbyer në drejtoritë e Kufirit, në struktura të larta të policisë në qarqe, në porte dhe pse jo deri në pikat kufitare tokësore dhe ajrore, një sërë emrash mjaft të njohur e publik janë në dosjen e Katanias. Burimet tregojnë se në përgjimet e italianëve nuk janë vetëm personat që kanë kryer trafik droge. Por janë edhe një sërë akuzash të tjera që do të bëhen publike më vonë.

Sipas burimeve “Dosja e Katanias” ka fakte tronditëse, që lidhen edhe me ngjarje mjaft të rënda që kanë ndodhur në harkun kohor të 4 viteve të qeverisjes së Edi Ramës.

“Habilajt”

Prokuroria e Krimeve të Rëndave mësohet se përveç katër vëllezërve Habilaj, janë një numër i madh personash të tjerë që janë përgjuar edhe nga ana e prokurorisë sonë.

Vetëm në tri ditë u arrestuan dy nga personat që kanë dalë nga dosja ndërkohë që bëhet fjalë edhe për një sërë personazhesh të tjerë që janë të implikuar me prova dhe fakte, por që prokuroria ka frikën e largimit të tyre jashtë vendi dhe mund të prishen disa prej provave të hetimit. Sipas të dhënave pritet që së shpejti të lëshohen urdhër-arreste për shumë persona të tjerë që janë jo vetëm pjesë e grupit të Habilabjve por edhe ish-drejtues policie të cilët në fakt janë lëvizur kohëve të fundit nëpër pozicione të ndryshme, por edhe ka nga ata që janë larguar jashtë vendi.

Italia sjell tjetër dosje!

Një tjetër dosje voluminoze ka mbërritur orëve të vona të ditës së djeshme në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme. Bëhet me dije se materiali është voluminoz dhe është pjesë e përgjimeve masive që janë kryer në vendin tonë e jo vetëm të personave që janë marrë me trafikun ndërkombëtar të drogës. Burimet zyrtare janë të rezervuara në lidhje me këtë fakt, por mësohet se materiali ka ardhur në mënyrë të dokumentuar dhe së shpejti pritet të përkthehet. Në të janë një sërë filmimesh të reja për të cilat mësohet se organi jonë i akuzës nuk ka qenë në dijeni.

Burimet sqarojnë edhe faktin se nuk dihet se për kë bëhet fjalë derisa ditën e sotme të nisë puna me përkthimin e materialit. Ka të dhëna që në këtë dosje ka edhe aktivitete të kapove të tjerë të trafikut të drogës, ndërsa burimet shtojnë se italianët e Interforcës i kanë përgjuar oficerët e policisë shqiptare dhe trafikantët edhe në shtete të tjera, duke lënë të kuptohet se ata kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në kryerjen e veprës penalë të trafikut ndërkombëtar të drogës. Nuk bëhet me dije nëse mbrëmë në dokumentet e mbërritura dorazi të ketë ndonjë implikim të ish-ministrit, por mësohet se janë një sërë zyrtarësh të implikuar.

Si u arrestua ushtari i Habiljave?

Policia prej tri ditësh ka qëndruar nëpër fshatrat e Vlorës për të ekzekutuar urdhër- arrestet e lëshuara nga Italia dhe që lidhen me dosjen e Katanias. Dy netë më parë, teksa kërkohej ndonjë banesë me drogë, u tha se policia gjeti “Seitin”, njeriun që ka dalë në përgjimet e bisedave të Habiljave me trafikantët dhe punonjësit e hashashit. Burimet hetimore bëjnë me dije se operacioni për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës, të njohur si pjesëtarë të grupit të Habilajve po vijon nga Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Vlorë.

Burimet thonë se bëhet fjalë për Florian Habilajn e persona të tjerë, për të cilët ka urdhër arresti nga prokuroria italiane. Burimet thonë se për këtë qëllim janë thirrur për t’u marrë në pyetje njerëz që mund të kenë dijeni mbi lëvizjet, apo vendndodhjen e personave të dyshuar, për të cilët ka urdhër arreste. Po kështu policia është duke mbledhur informacione mbi vendndodhjen e mundshme të të kërkuarve. Kjo pasi Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se personat ndaj të cilëve ka urdhër arreste nga prokuroria italiane ndodhen ende në Babicë, apo zona të tjera të Vlorës. Një ditë më parë, policia arrestoi Nazër Sehitajn, 40 vjeç, nga një fshat i Vlorës, për të cilin prokuroria italiane e Katanias ka lëshuar një urdhër arrest. Po kështu më 19 Tetor, policia arrestoi në Babicë Armand Koçerrin.

Në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan afërsisht 4 tonë kanabis. Kjo sasi lënde narkotike, e sekuestruar sipas Policisë dhe Prokurorisë i përket grupit të Habilajve. Operacioni nisi në Vlorë, pas sekuestrimit nga policia italiane në Katania të një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, ndërsa u arrestuan tre shqiptarë mes të cilëve Moisi Habilaj, i cilësuar si koka e grupit, bashkë me katër italianë. Policia e Shtetit bëri me dije mbrëmë se edhe ditën e djeshme kanë vijuar kontrollet në disa zona që rezultojnë të jenë bastione të Habilajve e jo vetëm në Vlorë, ndërkohë që kërkohen të vihen në pranga edhe vëllezërit e Moisi Habilajt, njeriut që ka drejtuar punët e grupit prej shumë kohësh, drejtim që ka implikuar edhe ishministrin e brendshëm!