Vetëm katër festivale filmi për vitin 2015 në Shqipëri

Qendra Kombëtare Kinematografike në Tiranë ka miratuar projektet e paraqitura për mbajtjen e festivaleve filmike në Shqipëri gjatë vitit 2015.
Mes 10 projekteve të paraqitura, bordi i miratimeve ka pranuar vetëm katër prej tyre.
Mediat shqiptare njoftojnë se bëhet fjalë për festivalet “Tirana International Film Festival”, projekt i paraqitur nga shtëpia kinematografike “Tirana Film Institute”, “Festivali i Filmit Ballkanik dhe i Kulinarisë”, projekt i paraqitur nga shtëpia kinematografike “Bunker Film +”, Festivali Ndërkombëtar i Filmit “AniFest ROZAFA”, paraqitur nga shtëpia kinematografike “Projekt SXHJ”, si dhe Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air”, paraqitur nga shtëpia kinematografike “Multi Media Nositi”.
“Festivali i Filmit Ballkanik dhe i Kulinarisë” mbahet në Pogradec, “AniFest Rozafa” mbahet në qytetin e Shkodrës, ndërsa festivali “Dea Open Air” dhe “Tirana International Film Festival” mbahen në Tiranë.