Veseli i përgjigjet Millakut e cila tha se me urdhër të tij është vrarë komandant Drini

Kadri Veseli i është kundërpërgjigjur deputetes së Vetëvendosjes, Drita Millaku e cila deklaroi se me urdhër ‘të Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit është vrarë Komandant Drini’.

“Jo dëgjo, është mirë kjo foltore me u përdore për gjëra të mirëqena dhe për të vërteta. Mos e nalni, por nuk është mirë me e lëshu fjalën sikurse p’e dini… Është mirë me marrë përgjegjësi dhe me marrë përgjegjësi jashtë këtij parlamenti me marrë përgjegjësi. Po kena me folë edhe për këto sene. Mos u ngutni. Veç ka marrë fund koha e ish Serbisë. Kena m’u ballafaqu për tana senet te zoti e te njeri.  Me pasë dikush shqetësim shkon edhe te Prokuroria. E ka rrejtë kush i ka thanë diçka, me shiku brenda vetes e gjanë ma leht”, ka thënë Veseli, shkruan Periskopi.

Ndryshe, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Drita Millaku ka akuzuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së Kadri Veseli se me urdhër dhe dijen e tyre është vrarë komandanti i UÇK-së Ekrem Rexha, me pseudonimin Drini.

Ekrem Rexha ishte vrarë pas luftës dhe se vrasja e tij nuk është ndriçuar asnjëherë.

Millaku tha se në vrasjen e tij ka gisht dikush pasi që sipas saj deri më tani edhe nuk po dekorohet nga presidenti.

“Kërkesa për dekorimin e  Drinit është në sirtar qe katër vjet dhe asnjëherë nuk u mor parasysh”, tha Millaku.

Ndaj kësaj fjale ka reaguar deputeti që vjen nga kjo zonë Nezir Çoçaj, i cili deputetes Millaku ia përmendi se është reja e njeriut që ka punuar në UDB.

Debate mes Millakut dhe Çoçajt kanë vazhduar kryesisht për komunën e Prizrenit, të cilën në zgjedhjet e fundit e ka fituar kandidati i Vetëvendosjes Mytaher Haskuka/Periskopi/