Veseli bashkëbisedon me agronomët

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli ka bashkëbiseduar dhe ka dëgjuar idetë e agronomëve të komunës të Shtimes.

Ai ka takuar dhjetëra kultivues të luleve, fermerë dhe përfaqësues të biznese për t’i dëgjuar idetë e tyre për të ardhmen e agro-kulturës dhe zhvillimit të bizneseve të vogla e të mesme.

Agronomi Rexhep Limani ka propozuar që shteti të reformojë më shumë arsimin profesional, pasi mungojnë punëtorët e profilizuar.

“Nevojitet reformim i thellë i arsimit, sepse ne kemi shumë mundësi për të punësuar punëtorë të rinj, por nuk ka profesionistë të asnjë fushe në bujqësi. Të gjithë mësojnë e shkojnë kryejnë juridik e ekonomik, ndërsa askush nuk merr një profesion për të punuar në praktikë. Shteti duhet të mendojë dhe të ofrojë arsim profesional në të gjitha fushat, në mënyrë që të rinjtë të profilizohen për tregun e punës, e jo të kërkojnë punë të cilat nuk dinë t’i kryejnë “, tha Limani.

Edhe biznesmeni Hyzer Gashi ngiti shqetësimin e mungesës së kuadrove profesionale për tregun e punës, ndërsa propozoi që në të ardhmen shteti të bëhet një rregullator më i mirë dhe më i afërt me bizneset në mënyrë që t’i ndihmojë ato përmes stimulimeve të ndryshme dhe përmes programeve për t’u zhvilluar më tutje, si dhe të ndikojë në konkurrencën e drejtë me produktet e paverifikuara që vijnë në Kosovë nga importi.

Pasi bashkëbisedoi dhe dëgjoi idetë e fermerëve dhe biznesmenëve të komunës së Shtimes, kryetari Veseli tha se idetë e tyre do t’i shërbejnë për ndërtimin e një platforme të mirëfilltë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Unë ju kam dëgjuar dhe po jua jap fjalën se nuk do ta harroj atë që biseduam bashkë këtu. Po në të njëjtën kohë po jua jap edhe fjalën tjetër, se kjo ka me qenë obligim për mua si politikan. Ka me qenë obligim për arsye se po lidhet edhe me të gjitha politikat që janë përgjegjësi e jona, çfarë po pretendojmë me bartë si mision tek qytetari”, ka thënë kryetari Veseli.

Veseli tha se pa fuqizimin e bizneseve të vogla dhe të mesme nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, ndërsa i siguroi bashkëbiseduesit se do të jetë përfaqësues dhe avokues për të çuar përpara idetë e tyre për zhvillimin e Kosovës.

   
Loading...