Veprimet që i bëni dhe me të cilat e dëmtoni veten

Sot shumica konsumojmë ushqim jo të shëndetshëm, me të cilin ngushëllohemi, dhe pimë alkool për të zbutur pakënaqësinë. Punojmë deri vonë natën në mënyrë që të shmangim konfliktet në shtëpi, hidhërohemi dhe “projektojmë” hakmarrje. Jetojmë ashtu siç nuk duhet, gënjejmë dhe hamë e pimë më shumë seç duhet. Jeta kështu bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe shtohen problemet, me kalimin e kohës e humbim edhe kontrollin mbi veten. Nëse jeni ju njëri nga ata që ka probleme të këtilla, atëherë duhet të dini se ju e keni çelësin e daljes nga kjo situatë dhe këshillat që do t’i paraqesim me siguri që do t’ju ndihmojnë në arritjen e qëllimit.

– Nga të tjerët kërkoni përgjigje, të cilat mund t’i jepni vetëm ju: Në fillim të jetës na tregojnë se çka mundemi dhe çka duhet të bëjmë. Edhe pse në momentin e caktuar të jetës do të duhet të marrim vetë vendimet, shumica këtë nuk e bëjnë dhe edhe më tutje i dëgjojnë të tjerët dhe vetë kërkojnë këshilla. Ndaluni së bëri këtë. Vetë merrni vendime, mendoni për veten. Kur të filloni ta dëgjoni intuitën tuaj dhe kur të ndaleni së prituri nga të tjerët, do të gjeni atë që kërkoni.

– U lejoni njerëzve “helmues” të ndikojnë në ju: Kurrë nuk duhet të ndieni fajtor se keni vendosur që të largoheni nga njerëzit “helmues” që gjenden në rrethinën tuaj. S’ka lidhje a bëhet fjalë për dikë nga familja juaj, partneri, kolegu apo shoku nga fëmijëria, nuk ju nevojitet askush afër për shkak të të cilit do të vuani dhe do të ndiheni keq.

– Kërkoni “anët negative” të njerëzve: Nuk duhet tërë ditën ta kaloni duke kërkuar “anët negative” të njerëzve që gjenden përreth jush. Shoku ndoshta nuk ua ka kthyer SMS që ia keni dërguar pasi që ishte i zënë dhe jo për ndonjë arsye tjetër. Mos mendoni për gjëra të kota, pasi kështu e dëmtoni vetëm veten. Le të jetë sot dita kur në të tjerët do të filloni të kërkoni gjërat pozitive që i posedojnë e jo të përqedroheni në ato negative.

– Frikësoheni që njerëzit do t’ju vjedhin ato që i keni: Zgjohuni! Sidomos nëse merreni me ndonjë punë kreative apo artistike. Gjithmonë do të fitoni më shumë nëse punën tuaj ia tregoni dikujt, në vend që nga frika ta ruani për vete. Mos u frikësoni se njerëzit do ta vjedhin punën tuaj apo idetë, por duhet të brengoseni atëherë kur askush më nuk do t’ju vërejë. Jeni të sinqertë në atë që bëni.

– Mundoheni të garoni me të tjerët: Nëse garoni dhe konkurroni me të gjithë, do të shndërroni në një njeri të padëshiruar, doni apo nuk doni ju. Por, nëse qoftë se garoni me “versionin e mëparshëm” të vetvetes, mund të bëheni më të mirë. Po, kjo gjë është kaq e thjeshtë.