Vdes albanologu i shquar, Robert Elsie

Albanologu i shquar kanadez me origjinë gjermane, Robert Elsie, ka vdekur.

Elsie, është mbase emri më i dëgjuar ndër albanologët e fundshekullit të njëzet dhe fillimshekullit njëzetenjë, raporton KTV.

I lindur më 1950 në Vankuver të Kanadasë, Elsie ishte njohur me shqipen dhe shqiptarët së pari gjatë viteve ’70-të, kur si student në Gjermani, kishte vizituar bashkë me një grup studentësh Tiranën.

Ai do të bëhej vizitor i rregullt i Seminarit të Gjuhës Shqipe në Prishtinë ku dhe do të mësonte edhe të folmen në gegnisht të shqipes, përmes njohjeve me kosovarët.

I dekoruar nga presidenti Bujar Nishani, Robert Elsie ishte autorë i një dhjetëra librash dhe artikujsh nga fushat e albanologjisë. Po ashtu, ai kishte përktheyr letërsi shqipe në anglisht, sikur poetët Migjeni, Lasgush Poradeci e shkrimtarin Fatos Kongoli. Ndërkohë ai do të mbahet në mend si përkthyes në anglisht i poemës së Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”. Elsie, kishte përpiluar edhe leksike dhe fjalor të shqipes si dhe ishte autor i një historie të përgjithshme të Shqipërisë dhe të Kosovës. Gjithashtu, ai kishte qenë përktheys gjatë procesit gjyqësor të diktatorit serb Sllobodan Millosheviq në Hagë, ku kishte përkthyer drejtpërdrejt dëshmitarët shqiptarë.