Ushtarët partiak të Haradinajt!

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, duke dashur të tregoj autoritet dhe fuqi, dje në Klan Kosova ka paralajmëruar Komisionin Qeveritar për verifikimin e kategorive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se nëse nuk nxjerrën listat përfundimtare, ata do t’i zvarrisin në shesh.

Haradinaj, i cili ka qenë komandat brigade në Dukagjin, ka thënë se nuk do t’i nënshkruaj listat nëse nuk do përfshihen të gjithë bashkëluftëtarët e tij. Por, për cilët bashkëluftëtarë e ka fjalën Haradinaj?

Ligji nuk e përcaktohen nëse një veteran është ai që ka luftuar në vitin 1998 apo 1999, pra nuk ekziston një specifikim i tillë.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se i gjithë presioni që deputeti Haradinaj po e ushtron publikisht është më shumë një tendencë për t’i bërë favore disa bashkëpartiakëve të tashëm të tij, të cilët kishin dezertuar në vitin 1998.

“Shumë prej bashkëluftëtarëve të vëllezërve Haradinaj kishin dezertuar në vitin 1998 dhe Ligji për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk ua mohon kontributin në një periudhë të caktuar atyre të cilët kishin ikur nga fronti i luftës, por ua mohon statusin ‘Veteran luftëtarë të UÇK-së’, i cili u njihet vetëm atyre që kanë qenë aktiv në luftë deri në përfundimin e saj”, tregon ky burim për Indeksonline.

Sipas tij, për Haradinajn tash më e rëndësishme është që t’i mbajë ata afër si politikan që është, sepse i nevojiten si elektorat, se ta kujtoj kohën kur ishte braktisur në vitin 1998 dhe ishin lënë me pak ushtarë në frontet e hapura në Dukagjin. /Indeksonline/