UNICEF: Fëmijët refugjatë, viktima të trafikantëve

Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) paralajmëron se fëmijët e pashoqëruar refugjatë dhe migrantë, numri i të cilëve që kanë ikur nga lufta dhe varfëria ka arritur në nivel rekord, po bëhen viktimë trafikimi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në raportin e ri të publikuar të UNICEF-it thuhet se numri i fëmijëve migrantë dhe refugjatë të cilët janë detyruar të emigrojnë të vetëm gjatë viteve 2015-2016 është rritur pesëfish dhe ka arritur në numrin 300 mijë.

Në raport theksohet se fëmijët e pashoqëruar refugjatë dhe migrantë, numri i të cilëve ka arritur në nivel rekord, janë viktimë trafikimi.

Sipas raportit shumë fëmijë të vetëm e të pambrojtur migrantë dhe refugjatë të cilët përpiqen të kalojnë nga Libia për në Itali duke bërë një udhëtim të rrezikshëm detar, shfrytëzohen nga trafikantët.

Po ashtu theksohet se këta fëmijë, numri i të cilëve po shtohet çdo ditë e më shumë, po shiten ose po përdhunohen nga trafikantët.

Madje, bëhet e ditur se 170 mijë fëmijë të pashoqëruar kanë kërkuar azil në Evropë ndërsa 100 mijë fëmijë janë ndaluar në kufirin Meksikë-SHBA.