Turqia rikthen “Twitter”-in dhe “YouTube”-in

Vetëm një ditë pasi i bllokoi ato, Turqia ka rikthyer sërish rrjetet sociale “Twitter” dhe “YouTube”.

Dy rrjetet sociale u bllokuan për shkak se kishin lejuar publikimin e pamjeve të prokurorit turk, Mehmet Kiraz, të marrë peng me një pistoletë në kokë javën e kaluar nga dy militantë të një organizate terroriste.

Prokurori mbeti i vrarë gjatë operacionit për shpëtimin e tij më 31 mars, ndërsa pamjet e tij me pistoletë në kokë bënë xhiron e botës nëpërmjet dy rrjeteve sociale.

Të hënën gjykata bllokoi aksesin edhe për “Facebook” dhe për 166 faqe të tjera internet, por drejtuesit e “Facebook” vendosën të fshinin menjëherë pamjet, duke bërë të mundur shfuqizimin e bllokimit brenda pak orësh.

Megjithatë, një zëdhënës i kompanisë ka bërë të ditur se vendimi do të apelohet.

Ndërsa bisedimet me dy rrjetet e tjera mjaft popullore zgjatën pak më shumë, duke bërë të mundur aksesimin e tyre nga Turqia vetëm një ditë më vonë.

Marrëdhëniet e shtetit turk me “Twitter” dhe “YouTube” nuk kanë qenë shumë të mira, pasi ato janë bllokuar edhe në të kaluarën me urdhër të presidentit Rexhep Taip Erdogan, i cili i konsideroi përgjegjës për përhapjen e mesazheve të dhunës gjatë protestave të vitit 2013.

Një zëdhënës i Erdoganit deklaroi të hënën se kërkesa e prokurorisë, e aprovuar nga gjykata, erdhi pasi publikimi i pamjeve të prokurorit ishte interpretuar si shpërndarje e propagandës terroriste.