Turqia është një aleate e mirë dhe e çmuar për ShBA-në

Pit Seshëns (Pete Sessions) deputeti i Teksasit (Texas) dhe bashkëkryesuesi i Grupit të Miqësisë me Turqinë në Kongresin Amerikan, bëri të ditur se Turqia, pa marrë parasysh disa dallime në opinione mes dy vendeve, është një aleate e mirë dhe e çmuar dhe se ShBA-ja duhet ta njohë vlerën e saj.

Organizata e Trashëgimisë Turke (Turkish Heritage Organisation), një organizatë e mendimit me seli në Uashington, në Kongresin Amerikan organizoi panelin me temë “Marrëdhëniet Turko-Amerikane”.

Krahas pjesëmarrjes së disa anëtarëve të Kongresit Amerikan, në panel ishin të pranishëm edhe zyrtarët e lartë nga Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Kongresit.

Në këtë aktivitet, ku si folës morën pjesë Majkëll Rejnollds (Michael Reynolds), lektor nga Universitetit Prinston (Princeton) dhe Nikollas Heras (Nicholas Heras), ekspert nga Qendra Amerikane e Sigurisë së Re, moderator ishte Nora Fisher Onar, eksperte e fondacionit “German Marshall Fund” dhe lektore në Universitetin e Karolinës (Carolina).

Në fjalën e tij të mbajtur në panel republikani Seshëns tha se “Edhe pse mes dy vendeve ka dallime në opinione Turqia është një aleate e mirë dhe shumë e çmuar. ShBA-ja duhet ta njohë vlerën e Turqisë”.

Seshëns theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë me përkrahjen e Turqisë që është aleate në NATO, ndërsa shtoi se ajo ka rol kritik në rajon.

Ndërkaq Majkëll Rejnollds bëri të ditur se marrëdhëniet turko-amerikane janë duke kapërcyer një periudhë të vështirë, por të dyja vendet kanë nevojë për njëra-tjetrën në rajonin e Lindjes së Mesme. Rejnollds tërhoqi vëmendjen se lidhja e organizatës terroriste PKK me PYD/YPG që është fraksioni i saj në Siri janë të padiskutueshme dhe tha se marrëdhëniet mes dy vendeve dëmtohen mu në këtë pikë.

Ndërsa Nikollas Heras në fjalën e tij tha se është i mendimit që Turqia do të luaj rol të madh për të ardhmen e Sirisë dhe se ShBA-ja nuk duhet ta neglizhoj këtë.

“ShBA-ja duhet të kufizojnë marrëdhëniet me YPG-në”, tha Heras, ndërsa shtoi se PYD-ja është e dhënë pas interesave të saj.

Të dy mysafirët gjithashtu bënë të ditur se takimi i Kryeministrit Binali Jëlldërëm (Yıldırım) me Zëvendëspresidentin, Majk Pens (Mike Pence) do të kontribuoj pozitivisht në marrëdhëniet dypalëshe.