Turqia do të vazhdojë të mbështes FSK-në

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama prit në takim Ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, të shoqëruar nga Atasheu ushtarak, kolonel Hasan Aydogdu dhe kolonel Gultekin Yarali, Këshilltar Ushtarak i Komandanti të FSK-së.
Gjeneral Rama, pasi e falënderoi Ambasadoren Ozan për vizitën e njoftoj atë mbi zhvillimin e FSK-së, trajnimet, shkollimet dhe stërvitjet që po zhvillohen sipas planifikimeve për këtë vit.
Gjithashtu, Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë e gjithashtu edhe për ndihmën e pakursyer në këtë fushë që po jep Ministria e Mbrojtjes dhe Republika e Turqisë.
Gjeneral Rama u shpreh i gatshëm për vazhdimin e bashkëpunimit edhe më tutje në të mirë të bashkëpunimit bilateral që kanë Turqia dhe Kosova.
Nga ana e saj, zonja Songul Ozan i uroj gjenerallejtënant Rrahman Ramës, gradimin si dhe emërimin në detyrën e komandantit të FSK-së.
Zonja Ozan u shpreh se bashkëpunimi, mbështetja si dhe përkrahja do të vazhdoj edhe në të ardhmen për FSK-në. Ajo siguroi gjithashtu se bashkëpunimin ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura do të vazhdoj me intensitet të njëjte edhe në të ardhmen, në fushat me interes të përbashkët.
Kjo është vizita e parë e zonjës Songul Ozan, Ambasadore e Republikës së Turqisë në FSK, prej që gjenerallejtënant Rrahman Rama është emëruar Komandanti i Forcës së sigurisë së Kosovës.