Trajneri i Armenisë kërkon fitore

Trajneri i Armenisë, Bernard Challandes, dëshiron fitoren përballë Shqipërisë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e “Euro 2016” që do të zhvillohet këtë të dielë në “Elbasan Arena”. Gjatë konferencën për shtyp, tekniku 63-vjeçar, thurri elozhe për Kombëtaren Kuqezi, duke theksuar se nuk i trembet vetëm një lojtari të caktuar por të gjithë skuadrës.
“I kam parë të gjitha ndeshjet e Shqipërisë. Në miqësoren me Italinë, isha i pranishëm dhe në stadium, por kam parë dhe shumë video në Youtube. Shqipëria ka shumë lojtarë që luajnë në Zvicër, njoh mirë Canën, Gashin dhe Xhakën. De Biasi ka ndërtuar një skuadër të mirë, ku forca e ekipit është grupi i bashkuar”.
Përsa i përket rezultatit, Challandes i ka të qarta idetë:
“Nuk do të firmosja për barazim, pasi në pozitat që jemi na duhet fitorja, dhe pikërisht për 3 pikët do të zbresim në fushën e lojës. Formaconin do ta zbuloj para takimit. Henrikh Mkhitaryan është mirë dhe mund të luajë titullar. Tani mendoj vetëm për futbollin, e ardhmja ime nuk ka rëndësi”.