Torino në ndjekje të Elis Bakajt

 

Kolonia e shqiptarëve të Serisë A që nga vera e ardhshme mund të pasurohet me një tjetër futbollist. Bëhet fjalë për Elis Bakajn fantazistin e Tiranës që siç raportojnë mediat italiane ka përfunduar në radarët e Torinos. Mediat përtej Adriatikut, versioni online i të përditshmes Tuttosport, gazetë me seli në Torino dhe historikisht shumë pranë Juventusit dhe klubit granata bën të ditur se është pikërisht Elis Bakaj i vëzhguari special i skuadrës së trajnerit Ventura, lajm që raportohet edhe në faqen e SportMediaset.
Të përditshmet italiane shkruajnë se Bakaj të cilit i skadon në fund të sezonit kontrata me Tiranën në Qershor mund të zbarkojë në Serinë A për të veshur fanellën granata. Nëse gjithçka do të konfirmohet Bakaj, i cili aktualisht është jashtë fushe për shkak të një dëmtimi jo vetëm do të bënte hopin cilësor të karrierës duke u aktivizuar në një nga kampionatet më të fortë të Europës, por do të gjente si shok skuadre te Torino edhe futbollistin e kombëtares kuqezi, Migjen Basha, i cili ka marrë së fundmi te skuadra italiane edhe shiritin e kapitenit.