Tomë Gashi: S’i besojmë raportit të autopsisë për Astrit Deharin

Tomë Gashi, përfaqësues ligjor i Familjes së Astrit Deharit, ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës se nuk i besojnë raportit të autopsisë, i cili thotë se Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje.

“Është pak e çuditshme dhe jo e zakonshme ajo që tha Sylë Hoxha. Një orë para konferencës, më është dorëzuar raporti nga Hoxha, dhe ashtu nuk thuhej në atë raport që ma dha mua. Nuk i besojmë këtij kryeprokurori dhe ajo që e thotë Hoxha, nuk është rezultati përfundimtar”, ka thënë Gashi, njofton Klan Kosova.

“Kemi raste në Kosovë e në botë, që edhe një mori provash të mëtejme mund ta shpallin rezultatin ndryshe. Nuk e di pse ka pasur nevojë Hoxha ta thotë këtë që e tha sot në konferencë. Ne e kemi ditur qysh moti se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia që është shkaktuar me një mjet të fortë”.

“Një person i madh, në gjendje të shëndoshë mentale dhe fizike, është e paparamendueshme që t’ia bëjë këtë vetes. Hoxha ka deklaruar se në shishen që ka shkaktuar asfiksi, nuk ka pasur gjurmë të tjetër kujt pos të vetë Astritit. Por është kundër natyrës që ajo shishe të mbahet në gojë deri në vdekje”.

klankosova

Lexo tjetër  Zgjedhjet, të pashmangshme