Tmerr në kampet e Gjermanisë, digjet së gjalli 28-vjeçarja shqiptare

Një vajzë nga Shqipëria ka ndërruar jetë në kampet e azilit në Gjermani. 

Mësohet se në qendren për refugjatë në Clemensheim të Bad Driburg-ut, në pasditen e të premtes, rreth orës 16 e 30 ka shpërthyer një zjarr në katin e dytë të ndërtesës.

Këtu ka gjetur vdekjen shqiptarja 28-vjeçare ndërsa një grua tjetër ka pësuarlëndime të lehta, shkruan tag24.de.

Fjala është për një grua me handikap ndërsa e gjithë qendra e azilit këtu është e banuar me azilkërkues me nevoja të veçanta.

Sipas zjarrfikësve, personi që ka pësuar lëndime ka qenë një e punësuar e sigurimit aty, i cili ka provuar të ndihmojë banorët, transmeton albinfo.ch.

Ajo është bartur në spital pasi që ka rënë në kontakt me gazin helmues të liruar nga zjarri.

Mbi 100 persona të ekipeve shpëtimtare janë mobilizuar me këtë rast. Kur ata kanë arritur në vendin e ngjarjes, retë e tymit shiheshin tashmë nga larg.

Ndërtesa është evakuuar ndërsa banorët janë vendosur në sallën e sporteve.

Ende nuk dihet shkaktari i zjarrit ndërsa hetimet po zhvillohen në atë drejtim.