Thohir-Inter, skandal financiar?

 

Një hetim i së përditshmes italiane Corriere della Sera rrezikon të futë në kaos Inter-in. Reportazhi i gazetarëve italianë është i gjatë, i detajuar dhe me terma financiarë që kanë shkaktuar habi në Itali, por që mund të shkaktojnë edhe një ‘tërmet’ në klubin zikaltër.

Gjithçka lidhet me aktivitetet financiare të presidentit Erick Thohir, i cili kryen operacione financiare me shoqëri që i kanë selitë në Ishujt Kajman, ku ekziston një parajsë fiskale, jashtë kontrollit dhe hetimeve, ku shumë biznese ndërkombëtare fshehin të ardhurat apo pastrojnë paratë e pista.

Pikërisht në Ishujt Kajman është e regjistruar një kompani ‘fantazmë’, ‘Merdeka Investment Ltd’, që ka mbuluar dhe siguron kuotat që Erick Thohir ka tek Inter-i.

Gjithashtu, në bazë të marrëveshjes së një viti më parë për mbulimin e borxheve të Inter-it me një hua prej 230 milionë eurosh (marrë nga Goldman Sachs me një interes prej 5.5%), edhe pronari zikaltër i ka dhënë Inter-it një hua prej 22,3 milionë eurosh me interes 8%, që do të thotë se në Indonezi përfundojnë çdo vit 1.78 milionë euro të pastra, në formë interesi.

Edhe kjo është një mënyrë e çuditshme dhe anormale të vepruari, sepse pronari i klubit i merr klubit interesa për paratë që hedh në klub.

Sa për krahasim, Milan-i mori 64 milionë euro nga Fininvest vitin e shkuar për të mbuluar borxhet, por Fininvest (që i përket Berlusconi-t) ia jep huanë me interes 0.

Për momentin Inter-i nuk ka pranuar të lëshojë asnjë koment, por situata nuk është aspak e qetë dhe herët e vonë kjo histori mund të marrë përmasat e një skandali.