Thaçi në Pentagon, merr mbështetje për transformimin e FSK-së

Në takimin me nënsekretaren Farkas është vlerësuar se ky vit do të jetë vendimtar për përfundimin e transformimit të Forcave të Sigurisë në Forcat e Armatosura të Kosovës. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi së bashku me ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA janë takuar sot në Pentagon me nënsekretaren për Mbrojtje, Evelyn Farkas. Me këtë rast zëvendëskryeministri Thaçi ka theksuar se i tërë procesi i rishikimit të sektorit të sigurisë sikur dhe transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës është bërë me përkrahjen dhe pajtim të NATO-s dhe SHBA-së. Për përfundimin e këtij procesi zëvendëskryeministri Thaçi ka marr mbështetjen e shtetit amerikan. Nga ana tjetër, nënsekretaren për Mbrojtje, Evelyn Farkas ka theksuar se Republika e Kosovës do ta ketë mbështetjen e plotë të SHBA-ve në prioritet në fushën e sigurisë. “Ky proces gëzon mbështetjen e plotë të SHBA-së”, është shprehur Farkas.

Ndërsa është theksuar se hapat e deritashëm të procesit të transformimit të FSK në Forcën e Armatosur të Kosovës, e bëjnë më të sigurt rrugën e saj drejt anëtarësimit në programin e Partneritetit për Paqe si dhe në NATO.

Pas takimeve në Pengtagon, zëvendëskryeministri Thaçi ka zhvilluar takime të veçanta edhe me senatorin Chris Murphy dhe kongresmenin George Holding. Gjatë qëndrimit në SHBA, zëvendëskryeministri Thaçi do të marrë pjesë edhe në Lutjet e Mëngjesit me presidentin Barack Obama me ç’rast do të zhvilloj takime me zyrtarët më të lartë të shtetit amerikan.
Zëvendëskryeministri Thaçi do të takohet me ndihmës sekretaren amerikane të shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, ku do të diskutohet për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe për bashkëpunimin në integrimet Euro-Atlantike të Kosovës si dhe luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.
Gjatë qëndrimit në Uashington, zëvendëskryeministri Thaçi do të ketë takim edhe me ish-sekretaren e shtetit, Madeleine Albright, si dhe me ekspertët e politikës së jashtme, Morten Abramovitz dhe Jimmy Hooper. Para se të udhëtoj për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së zëvendëskryeministri Thaçi do të mbajë një ligjëratë edhe në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins”.