Thaçi: Masa qesharake për situatë serioze

Shkruan: Jusuf Thaçi

Gjatë verës në Prishtinë qarkullojnë edhe më shumë vetura (sepse janë edhe veturat e kurbetçinjve) se sa gjatë dimrit (eventualisht gjatë dimrit veturat tymojnë pak më shumë derisa të ngrohen, por kjo nuk mund të shkaktojë shumë më shumë ndotje se gjatë verës), por sërish gjatë verës nuk e kemi këtë ndotje të ajrit.

Pra, qarkullimi i veturave në Prishtinë mbetet variabël relativisht e pandryshuar si gjatë verës si gjatë dimrit. Rrjedhimisht, mënjanimi ose zvogëlimi i kësaj variable nuk mund ta zgjidhë problemin e ndotjes së ajrit në Prishtinë.

Variablat që ndryshojnë shumë gjatë dimrit, krahasuar me verën, janë termo-elektranat që gjatë dimrit duhet të prodhojnë shumëfish më shumë rrymë (pra dhe ndotje), si dhe përdorimi i qymyrit, vajit dhe naftës për ngrohje nga familjet dhe bizneset në Prishtinë.

Prandaj, masat e ndërmarra nga institucionet lokale e qendrore kundër qarkullimit të mjeteve në Prishtinë janë logjikisht të paarsyeshme, pra dhe qesharake, ndërsa praktikisht do të jenë të pamundura dhe do ta çrregullojnë jetën e qytetarëve, në ndërkohë që nuk do t’i sjellin asnjë dobi në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Në vend të kësaj, institucionet duhet të detyrojnë urgjentisht termo-elektranat që të vendosin filtrat e duhur dhe duhet t’i ofrojnë familjeve e bizneseve të Prishtinës ngrohje qendrore, në mënyrë që ata të përdorin më pak energji elektrike për ngrohje (më pak ndotje nga termo-elektranat) dhe të mos jenë të detyruar të përdorin qymyr, vaj e naftë për ngrohje (më pak ndotje nga djegia e këtyre lëndëve).

Lexo tjetër  Pse duhet ta votojmë Naim Bazajn për deputet