Thaçi: Kosova dhe rajoni ka nevojë ende për SHBA-në

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot ka mbajtur një ligjëratë në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS) në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington para një audience të akademikëve, studentëve dhe ish-zyrtarëve shtetërorë amerikanë.

Në prezantimin e tij, zëvendëskryeministri dhe ministri Jashtëm Thaçi foli për të arriturat dhe sfidat e Kosovës si dhe aspiratat e shtetit të ri që të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s, por gjithmonë duke e ruajtur miqësinë dhe marrëdhënien e veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, vazhdimi i mbështetjes së SHBA-së mbetet i rëndësishëm si për Kosovën ashtu edhe për rajonin. Zëvendëskryeministri Thaçi theksoi se BE-ja, por edhe NATO po vonohen të afrojnë Kosovën dhe rajonin dhe kjo po i hap hapësirë ndikimit negativ gjithnjë e më të madh të Rusisë, por edhe të “ISIS”-it.

“Vonesa në afrimin e Kosovës dhe të rajonit drejt BE-së dhe NATO-si hap rrugë involvimit dhe ndikimit negativ të Rusisë, por edhe ‘ISIS’-it në rajon”, u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë prezencë politike e ushtarake në Kosovë dhe është duke u shtuar edhe prezenca ekonomike në formë të investimeve. “Kosova është krenare që është shteti më pro-amerikan në botë dhe do të mbetet parter strategjik i SHBA-së dhe promovuese e vlerave të përbashkëta”, ka thënë ai.

Pjesëmarrësit në takim u interesuan për mënyrat se si SHBA-ja duhet të mbetet aktive në rajon, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si dhe për konsolidimin e shtetit të Kosovës brenda dhe jashtë.

Daniel Server nga SAIS, nikoqir i takimit, duke përmbledhur diskutimin, konstatoi se Kosova sot është shumë më mirë se sa që ishte para 15 vjetëve kur ishte në luftë, përkundër sfidave të tranzicionit dhe të integrimit në BE, dhe se gjërat në Kosovë do të vazhdojnë të përmirësohen dhe Kosova do të duket edhe më e mirë në të ardhmen.

 
Loading...